Bota

Shtetet kryesore vazhdojnë numërimin, Biden i afrohet fitores

Kandidati demokrat, Joe Biden, mori hov të madh në zgjedhjet presidenciale në SHBA pas parashikimeve për fitoren e tij në Miçigen dhe Uiskonsin. Megjithatë, numërimi i votave vazhdon në disa shtete kyçe, duke e lënë të paqartë rezultatin edhe dy ditë pas zgjedhjeve.

Me 16 votat elektorale të Miçigenit dhe 10 të Uiskonsinit, Biden ka 253 vota elektorale, përballë presidentit Donald Trump me 214 vota elektorale.

Fitimet në Arizona dhe Nevada – dy shtete të vëzhguara nga afër në mesin e atyre që ende numërojnë – do t’i jepnin Bidenit 270 votat e nevojshme elektorale.

Fitoret e Bidenit në Miçigen dhe Uiskonsin e lanë Trumpin, i cili i fitoi të dyja këto shtete më 2016, me më pak mundësi për të fituar.

Fushata e Trumpit, republikan, tha se do të kërkojë rinumërim të votave në disa qarqe të Uiskonsinit, edhe pse ekspertët zgjedhorë thonë se margjina e fitores normalisht është e vështirë për t’u kapërcyer në rinumërim.

Biden kryeson në Uiskonsin me 49.6 për qind, kundrejt Trumpit me 48.9 për qind. Një kandidat mund të kërkojë rinumërim nëse margjina e fitores është më pak se 1 për qind.

Pas parashikimeve për fitore në Miçigen, Biden tha se pret që t’i fitojë zgjedhjet.

“Pas një nate të gjatë të numërimit, është e qartë se do të fitojmë shtete të mjaftueshme, për të arritur 270 votat elektorale, të nevojshme për të fituar presidencën”, tha Biden.

“Nuk jam këtu për të deklaruar se kemi fituar, por jam këtu për të raportuar se kur numërimi të përfundojë, ne besojmë se do të jemi fituesit”, tha ish-zëvendëspresidenti 77-vjeçar, Joe Biden.

Trump është përpara në këto dy shtete.

Fushata e tij, ndërkohë, nisi procese gjyqësore në Miçigen, Pensilvani dhe Xhorxhia, duke kërkuar ndalimin e numërimit të votave dhe qasje më të mirë të vëzhguesve të fushatës.

Paditë u ngritën edhe pse nuk ka asnjë provë për keqbërje ose pasaktësi nga ana e zyrtarëve zgjedhorë.

Dhjetëra mbështetës të zemëruar të Trumpit shkuan te qendrat e numërimit të votave në Miçigen dhe Arizona, ndërsa kundërshtarë të tij dolën në rrugë në disa qytete, duke kërkuar rezultat të plotë.

“Ndaloni numërimin”, thërrisnin mbështetësit e Trumpit në Detroit të Miçigenit. “Ndaloni vjedhjen”, thërrisnin ata në Finiks të Arizonës.

Forcat e rendit u rreshtuan për t’i penguar ata të hyjnë në zonën e numërimit të votave.

Tensionet në Miçigen janë të larta tash e sa muaj.

Në pranverë, protestuesit anti-qeveritarë mbanin hapur armë në kryeqytetin e shtetit, gjatë protestave kundër masave për frenimin e koronavirusit. Në tetor, gjashtë burra u arrestuan nën akuzat se kanë bërë komplot për të rrëmbyer guvernatoren demokrate, Gretchen Whitmer

Protesta me thirrjet që secila votë të numërohet pati edhe në Nju Jork dhe Portland të Oregonit.

Guvernatorja e Oregonit, Kate Brown, thirri Gardën Kombëtare pasi u thyen dritaret gjatë një demonstrate në Portland.

Fushata e Bidenit tha se ka avokatë të gatshëm për të kundërshtuar përpjekjet e presidentit për të ndaluar numërimin e votave në disa shtete.