LajmeShqipëri

Shqiptarët kanë 4 miliardë euro në banka

Të dhënat tregojnë se euro vazhdon të mbetet monedha kryesore ku shqiptarët preferojnë të ruajnë kursimet e tyre dhe kjo tendencë nuk është përmbysur as nga rënia e ndjeshme e monedhës europiane kundrejt lekut, as nga programi i deeuroizimit.

Vetëm vitin e kaluar monedha europiane u zhvlerësua me gati 7.3 për qind kundrejt lekut duke rënë nga 133.2 lekë që ishte në 123.4 lekë aktualisht. Paralelisht në fillim të 2018-ës, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shpallën nisjen e një fushate ligjore që synonte rritjen e përdorimit të lekut në ekonominë shqiptare dhe uljen e përdorimit të euros.

Një nga masat kryesore të këtij programi është dekurajimi i kursimeve në euro duke ja u bërë bankave private më të kushtueshme mbajtjen e depozitave në monedhën europiane.

Për shkak të këtyre masave, shumë nga bankat private kanë ulur ndjeshëm interesat për depozitat në euro, madje duke i zbritur edhe ne terren negativ. Por pavarësisht kësaj, shqiptarët vazhdojnë të preferojnë euron si monedhën kryesore për të ruajtur kursimet e tyre, ndërkohë që depozitat në lekë vitin e kaluar ranë me 3.5 për qind.