Shqipëria shton masat për të parandaluar koronavirusin
Shqipëria dyfishoi personelin e njësive shëndetësore në pikat kufitare në përpjekje për të forcuar kontrollet e udhëtarëve që vijnë nga vendet e prekura prej koronavirusit.
Masat shëndetësore u shtuan në portet detare, aeroportet dhe pikat tokësore të Shqipërisë pas lajmeve mbi praninë e koronavirusit në Italinë fqinje.
Qeveria ka ngritur një ekip të posaçëm për parandalimin, kontrollin dhe mbrojtjen e popullatës ndaj koronavirusit të ri.
Ekspertët dhe drejtuesit e institucioneve shëndetësore vendosën mbledhjen e sotme përforcimin e masave në pikat kufitare për të gjurmuar raste të mundshme të koronavirusit, njofton VoA.
Ata kërkuan shtimin e mjeteve mbrojtëse personale, spitalore, laboratorike dhe shtimin e kontrolleve për të parandaluar depërtimin e koronavirusit në Shqipëri.
Udhëtarët, pohuan autoritetet, do të informohen më gjerësisht që të vetëdeklarohen në strukturat shëndetësore mbi shenja të mundshme klinike apo kontaktet me raste të koronavirusit në vendet e prekura. Vijon po ashtu edhe masa e vetëkarantinimit të personave, që kanë ardhur nga vendet e prekura nga ky virus.
Shqipëria ka caktuar edhe një strukturë spitalore si vend karantine, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.