Shqipëria merr 50 milionë euro nga BE-ja për monumentet e dëmtuara nga tërmeti
Shqipëria ia ka dalë që të sigurojë fonde për të ndërhyrë në asetet e trashëgimisë kulturore që kanë pësuar nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar. Janë 50 milionë euro të Komisionit Evropian që do të përdoren për ndërhyrje në trashëgimi kulturore. Këtë e ka bërë të ditur pasditen e së premtes ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Një lajm i shkëlqyer na vjen sot nga Komisioni Evropian, i cili ka miratuar paketën prej 100 milionë eurosh, të cilat do të shkojnë për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit. Prej tyre 50 milionë do të shkojnë për restaurimin e monumenteve të dëmtuara”, ka njoftuar ajo. Sipas Margaritit, bëhet fjalë për një premtim të mbajtur nga Bashkimi Evropian. Sipas saj, me ndihmën e partnerëve strategjikë, nën moton “Rindërto më mirë”, jo vetëm që “do të mbyllet plagë e hapur, por do të ngrihet një e ardhme më e mirë për komunitetet e prekura nga tërmeti”.