Shqipëri

Shkarkohet ambasadorja shqiptare në Athinë, media greke: E përfshirë në vjedhjen e 100 pasaportave

Ditën e sotme ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, shkarkoi ambasadoren shqiptare në Athinë, Ardiana Hobdarin, si dhe një pjesë të madhe të stafit për shkak të ankesave të bëra nga emigrantët shqiptarë në Greqi për shërbimet.

Media greke “Protothema”, shkruan se shkak për këtë vendim është bërë vjedhja e 100 pasaportave shqiptare vitin e kaluar në kryeqytetin helen.

“Sipas informacioneve, Hobdari dhe konsulli i Përgjithshëm i Janinës, Pervin Gjikuria janë “të përfshirë në rastin e vjedhjes së 100 pasaportave nga një makinë e trupit diplomatik shqiptar që ishte në tokën greke.

Automjeti, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i përket Gjikurisë. Në të njëjtën njoftim thuhet se konsulli në fjalë kishte marrë përsipër detyrën e transportimit të pasaportave në Athinë dhe dorëzimin e tyre në ambasadën shqiptare. Vjedhja ndodhi në 13 shkurt, vonë natën, në Thesio, ku ishte automjeti i konsullit shqiptar që u vandalizua. Policia Greke u informua siç duhet për ngjarjen.”, shkruan “ProtoThema”.