Shifrat tragjike/ 29 viktima, por dyshohet për 25 persona ende nën rrënoja
Më shumë se 24 orë nga tërmeti 6.4 ballë që goditi Shqipërinë një ditë më parë vijojnë kërkimet për rreth 25 persona që kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. 29 persona janë konfirmuar të pajetë. Forcat speciale po gërmojnë në 6 pika mes zonave të Durrësit, Kënetës dhe Thumanës: tek tre pallatet e rrëzuara në Thumanë, tek hotel Mira Mare në Durrës, hotel Tropikal, tek lagjja nr.6 në Durrës dhe në afërsi të kryqit të kuq.
2 persona të tjerë janë identifikuar të pajetë në rrënojat e pallatit 6-katësh në Durrës. Vijojnë përpjekjet për nxjerrjen e tyre nga rrëonjat. Burrë e grua Pëllumb dhe Çelike Greku janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e banesave në Thumanë. Ata kanë qëndruar për më shumë se 24 orë nën rrënoja ndërkohë që janë nxjerrë mëngjesin e sotëm pa asnjë shenjë jete. Djali i tyre Saimir Greku u nxor i gjallë nga rrënojat por humbi jetën në spitalin e Traumës.
Nga shembja e banesës që u shemb një ditë më parë në Durrës kanë humbur jetë edhe një vajzë 4-vjeçare bashkë me gjyshen e saj. Ariela Lala 4-vjeç dhe Selvie Lala 75-vjeçare kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së banesës. Deri në këto momente në spitalin e Traumës vijojnë të jenë të shtruar 32 persona të cilët janë dëmtuar nga tërmeti. Njëri prej tyre vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndëtësore. Në spitalin e Traumës ndërroi jetë Saimir Greku 31-vjeç, i cili u shpëtua nga rrënojat e tërmetit. Një ditë më parë u shpëtuar babai i tij Pëllumb Greku.