SHBA: Takimi Kosovë-Serbi, më 4 shtator
Takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington do të mbahet më 4 shtator.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare, John Ullyot.
“Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ka ftuar liderët e Serbisë dhe Kosovës në Uashington më 4 shtator. Shtetet e Bashkuara shpresojnë në këto diskutime të rëndësishme me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Hoti. Ne besojmë se përparimi në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, është hapi i parë në përparimin e procesit të paqes“, ka thënë zëdhënësi John Ullyot.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ndërkaq, më 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet më 7 shtator.