Bota

SHBA-ja reagon pas sulmit ndaj Izraelit

Shtetet e Bashkuara të shtunën kanë dënuar sulmet e “terroristëve të Hamasit” kundër Izraelit, ka thënë Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë pa mëdyshje sulmet e paprovokuara nga terroristët e Hamasit kundër civilëve izraelitë”, ka thënë në një deklaratë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, duke shtuar se “kurrë nuk ka asnjë justifikim për terrorizmin”.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan ka folur me këshilltarin izraelit për sigurinë kombëtare Tzachi Hanegbi dhe do të mbetet në kontakt të ngushtë me partnerët izraelitë lidhur me operacionin, sipas deklaratës.

“Ne qëndrojmë me vendosmëri me Qeverinë dhe popullin e Izraelit dhe shprehim ngushëllimet tona për jetët izraelite të humbura në këto sulme”, shtoi Watson.

Nga sulmet e Hamasit, 40 izraelitë mbetën të vdekur e mbi 700 të lënduar.

E, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se Washingtoni po punon për të siguruar se Izraeli “ka gjithçka që i duhet” për ta mbrojtur veten.

Në ditët në vijim departamenti i mbrojtjes do të punojë për të siguruar se Izraeli ka çfarë i duhet për ta mbrojtur veten dhe civilët nga dhuna dhe terrorizmi”, ka thënë ai.