Bota

SHBA-ja dhe talibanët nënshkruajnë marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Afganistan

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë nënshkruar marrëveshje historike, që ka për qëllim dhënien fund të konfliktit në Afganistan.

SHBA-ja është pajtuar që të tërheqë trupat nga Afganistani brenda 14-muajsh, nëse militantët talibanë u përmbahen marrëveshjes.

Aktualisht, në Afganistan janë 13 mijë trupa amerikane.

Talibanët po ashtu janë zotuar se do të zhvillojnë bisedime direkte me qeverinë në Kabul.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe liderët talibanë, ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Doha të Katarit.

“Ne ende jemi në fillim”, tha sekretari Pompeo para nënshkrimit të marrëveshjes.

“Ulja e konsiderueshme e dhunës do të krijojë kushte për paqe”, tha ai.

Sekretari Pompeo shtoi se afganët duhet të jetojnë në paqe dhe prosperitet dhe të respektojnë të drejtat e grave, teksa SHBA-ja duhet të sigurohet se nuk do të ketë kërcënim terrorist nga ky vend.

Duke folur në Kabul, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper tha se SHBA-ja nuk do të hezitojë ta anulojë marrëveshjen, nëse talibanët nuk i përmbahen asaj.

“Nëse talibanët i përmbahen marrëveshjes, SHBA-ja do të nisë reduktimin e forcave”, tha ai, duke e quajtur arritjen e kësaj marrëveshjeje “një moment të rëndësishëm në procesin e paqes”.

Sipas marrëveshjes, talibanët janë pajtuar që të ndalin sulmet dhe të mos lejojnë grupin terrorist, Al-Kaida që të operojë në zonat që ata kontrollojnë.

Më 28 shkurt, presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se marrëveshja me talibanët është rruga e vetme për paqe të qëndrueshme në Afganistan.

“Nëse talibanët dhe Qeveria e Afganistanit i përmbahen zotimeve të tyre, ata do të kenë në rrugë të fuqishme drejt dhënies fund të luftës në Afganistanit dhe kthimit në shtëpi të trupave tanë”, tha Trump.

“Këto zotime paraqesin një hap të rëndësishëm për paqe të qëndrueshme në Afganistanin e ri, të çliruar nga Al-Kaida, Shteti Islamik dhe çdo grup tjetër terrorist që do të dëshironte të na shkaktonte dëm”, tha Trump.

Nënshkrimi i marrëveshjes vjen një javë pasi forcat e udhëhequra nga SHBA-ja dhe talibanët u pajtuan që të reduktojnë dhunën.

Pushtimi i Afganistanit nga Shtetet e Bashkuara ndodhi disa javë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA. Atëbotë, presidenti i SHBA-së, George W.Bush urdhëroi fushatën e bombardimeve dhe pushtimit të Afganistanit.