Opinione

Serwer: Lista Serbe s’do një Asociacion që s’e dirigjon Beogradi, Serbia po shkon drejt autokracisë

Analisti amerikan dhe eksperti për Ballkan, Daniel Serwer ka analizuar vizitën në Kosovë e Serbi që këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e pati javën e kaluar.

Serwer në faqen e tij “Peacefare.net” ka bërë një përmbledhje të vizitës së Cholletit në Prishtinë e Beograd.

Ai ka përmendur disa pika të vizitës.

Serwer ka thënë se takimi i Cholletit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka qenë mjaft miqësor dhe i rëndësishëm, ku është treguar drejtimi i duhur.

Ndërsa Serwer vlerëson se nuk mund të thuhet se i njëjtë ka qenë edhe takimi i Cholletit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka cituar postimin në Twitter që Chollet e pati për takimin me Vuçiqin.

Nuk është entuziaste. Chollet përmend objektiven amerikane pa ndonjë shenjë se është pranuar edhe nga Vuçiqi dhe i referohet si ‘bisedë e mirë’, që në gjuhë diplomatike i bie mospajtim”, ka shkuar Serwer.

Serwer ka analizuar edhe takimin e Cholletit me Listën Serbe, bazuar në postimin që Chollet e ka bërë në Twitter.

Chollet kishte thënë se ka pasur “një takim informativ me anëtarët e Listës Serbe. E vlefshme të dëgjojë shqetësimet e gjitha komuniteteve në Kosovë. Duhet të kthehen në institucione të Kosovës serbët e Kosovës. Ne vazhdojmë të cekim rëndësinë e një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

E Serwer e ka la vlerësuar si të rëndësishme që Chollet e ka përmendur punën e Kushtetutës së Kosovës në lidhje me Asociacionin.

Kjo nënvizon rëndësinë e kthimit të serbëve në punët e tyre zyrtare dhe ju ofron një Asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës si stimulim. Pika e fundit, Kushtetuta, nuk ka qenë gjithmonë e qartë në deklaratat e SHBA-së, por sigurisht që zvogëlon nxitjen, pasi Lista Serbe nuk ka interes në një Asociacion të Komunave me shumicë serbe që nuk kontrollohet nga Beogradi”, ka shkruar Serwer.

E në anën tjetër sa i përket takimeve të Cholletit në Serbi, Serwer ka thënë se këshilltari amerikan nuk është takuar me opozitën atje.

“Kjo na tregon atë që duam ta dimë. Ndryshe nga Kosova, Serbia nuk është më një demokraci, por është në rrugë drejt autokracisë. Kjo duhet të informojë politikën amerikane, por nuk e ka bërë ende”, ka shkruar Serwer.