Lajme

Serbia refuzon të heq dorë nga ideja për ndryshimin e kufijve me Kosovën

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se Serbia nuk po heq dorë nga ideja e shkëmbimit territorial.

Pas përfundimit të samitit të Brdo-Brijunit, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq para mediave serbe ka thënë se nuk ka pranuar që në konkluzat e takimit të përmendet mos ndryshimi i kufijve në rajon.

Ai ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës nuk është respektuar parimi i mos ndryshimit të kufijve.

Profesori i Oksfordit Richard Caplan ka komentuar këtë qëndrim të Vuçiqit. 

“Është me rëndësi që komentet e Vuçiqit të vendosen në perspektivë për t’i kuptuar reaksionet e liderëve tjerë të Ballkanit. Vuçiqi propozoi vendosjen e një gjuhe të caktuar për mos ndryshim të kufijve që u interpretua si mohim i shtetësisë së Kosovës si shtet i pavarur. Në vend të kësaj u përmenden vetëm kufijtë rajonal në kontekstin e integrimit në BE”, ka deklaruar Caplan për RTV Dukagjinin. 

Ish deputeti Visar Ymeri, thotë se Serbia vazhdon të mos heqë dorë nga shkëmbimi i territoreve.

“Është e qartë se Serbia nuk heqë dorë lehtë nga ideja e këmbimit të territoreve apo ndryshimit të kufijve. Edhe në të kaluarën e ka pasur këtë synim, mirëpo tani jemi në një situatë që ka ndryshuar politika globale për këtë çështje sidomos ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për dallim nga Administrata e kaluar amerikane, kjo e tanishmja ka një qëndrim eksplicit kundër ndryshimit të kufijve. Mendoj se kjo e bënë këtë ide për ndryshim të kufijve jashtëzakonisht më të zbehtë”, deklaroi Visar Ymeri.

Si kryeministri Kurti ashtu edhe presidentja Osmani janë shprehur kundër ndryshimit të kufijve si pjesë e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.