Serbia paralajmëron “ligj lufte” me Kosovën
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin deklaroi se së shpejti në Parlamentin serb do të paraqitet një strategji mbrojtëse, e cila do të përfshijë, ndër të tjera, një dispozitë që parashikon se kërcënimi i sigurisë së serbëve që jetojnë jashtë kufirit nënkupton se rrezikohet automatikisht siguria e Serbisë.
Vulin i tha Radio Beogradit se shteti serb tani është mjaft i fortë për të mbrojtur njerëzit e tij, dhe shtoi se një Serbi e fuqishme është gjithashtu garantuese e paqes në Ballkan, transmeton Shqip.
Ky ligj përbën një sinjal “lufte” të Beogradit me Kosovën, ku politika zyrtare serbe i mëshon fort tezës se serbët e Kosovës ndihen të kërcënuar në territorin e kësaj të fundit.
Ndërkohë që ndodh një gjë e tillë, bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht SHBA me dy të dërguar të posaçëm, po tentojnë cimentimin e stabilitetit në Ballkan përmes vulosjes së marrëveshjes Serbi-Kosovë.