Serbia nënshkroi marrëveshje me Rusinë për prodhimin e vaksinës Sputnik-V
Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF) tha të enjten se ka nënshkruar një marrëveshje me institutin serb të vaksinave Torlak për të prodhuar vaksinën e koronavirusit Sputnik V në Serbi.
Prodhimi i Sputnik V do të fillojë në maj 2021 në mjediset e Institutit Torlak dhe vaksina mund të eksportohet në vendet e tjera në Evropën Jugore në një fazë të mëvonshme, tha RDIF në një deklaratë.
“Serbia ishte ndër vendet e para në botë që miratoi Sputnik V dhe e përdori atë për të mbrojtur popullatën kundër koronavirusit. Prodhimi i vaksinës ruse nga Instituti Torlak siguron një logjistikë më të lehtë dhe gjithashtu do të ndihmojë në përshpejtimin e programit të vaksinimit në vend,” – tha CEO i RDIF Kirill Dmitriev.Grupi i parë i Sputnik V u dërgua në Serbi më 30 dhjetor dhe vaksinimi kundër koronavirusit me vaksinën ruse filloi në vend në 6 janar.
“Prodhimi i vaksinës Sputnik V në Institutin Torlak do të forcojë kapacitetet e vendit tonë për të luftuar kundër pandemisë së koronavirusit dhe për të hapur perspektiva të reja për shpërndarjen e kësaj vaksine në rajonin e Evropës Jugore,” – shtoi Nenad Popovic, Ministri i Serbisë pa portofol i ngarkuar me inovacionin.
Instituti Torlak është prodhuesi kombëtar i vaksinave i Serbisë që furnizon institucionet e kujdesit shëndetësor në vend me vaksina për programin e imunizimit të detyrueshëm.