Serbia i njeh kufijtë e Kosovës, pas 9 vjetësh pranon të implementojë IBM-në në Merdare
Është dashur që të kalojnë plotë nëntë vite që Serbia të fillojë të respektojë dhe implementojë marrëveshjen për Menaxhim të Përbashkët të Kufijve e cila ishte nënshkruar në vitin 2011 kur në emër të palës kosovare negocionte Edita Tahiri.
Në kohën e vendosjes së firmave në një marrëveshje të tillë, pala kosovare kishte deklaruar se Serbia edhe ligjërisht ka pranuar pavarësinë e Kosovës, derisa nga pala serbe ishte thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes së IBM-së nuk nënkuptohet njohja e Kosovës.
Për fillimin e implementimit të një marrëveshje të tillë nga Serbia, ka reaguar qeveria amerikane dhe emisari i Trump për dialogun, Richard Grenell, të cilët kanë përgëzuar shtetin serb meqë tashmë janë pajtuar që doganierët t’i vendosin në ndërtesën e përbashkët të financuar nga Bashkimi Evropian në pikën kufitare në Merdare të cilës pala serbe megjithatë i referohet si linjë administrative.
“Lëvizje e madhe. Falënderimi i takon presidentit Trump. Serbia e bën funksional pikëkalimin në Merdare”, thuhet në reagimin e Richard Grenell.
Edhe zëdhënësja e Sekretarit Amerikan ka komentuar veprimin e Serbisë për t’u vendosur në ndërtesën e financuar nga Bashkimi Evropian, duke e quajtur si hap të mirë.
E ambasadori amerikan në Beograd, një veprim të tillë të shtetit serb e ka ndërlidhur me zhvillimet dhe marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington, ku palët janë zotuar edhe për krijimin e MiniSchengenit.