Lajme

Serbia ”i gjen” autorët e kërcënimit të Dick Martyt

Pas publikimit të mediave zvicerane se ish-senatori zviceran Dick Marty, tash e një vit e gjysmë jeton nën masa të forta sigurie si pasojë e kërcënimeve me jetë nga shërbimet inteligjente serbe, mediat serbe, të afërta me pushtetin, i kanë dhënë pak apo fare rëndësi.

Sipas mediave zvicerane, serbët kishin planifikuar vrasjen e Martyt në mënyrë që fajin t’ua hidhnin shqiptarëve, me idenë se kjo mund të pranohej, meqë bazuar në pretendimet në raportin e zviceranit, u ngrit Gjykata Speciale në Hagë.

Agjencia “Tanjug” ka raportuar për këtë të hënën, por duke e marrë edhe një deklaratë të avokatit Goran Petronijeviq. E sipas tij, “dorëshkrimi përmes të cilit u kërcënua Marty, është vepër e britanikëve ose edhe e shqiptarëve”.

Ky është dorëshkrim i MI-6 (Inteligjenca britanike), por nuk e përjashtoj mundësinë që është edhe i shërbimit inteligjent shqiptar”, tha avokati nga Beogradi për agjencinë serbe Tanjug.

Sipas avokatit serb, interes i serbëve është që Marty të jetë gjallë dhe të dëshmojë për ato që ka nxjerr në raport.

Marty vite më parë ka bërë një raport, ku pretendonte se ushtarë të UÇK-së kanë kryer krime gjatë luftës dhe në bazë të tij, edhe u ngrit Specialja ku sot po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.

Në fakt, shteti serb në disa raste kohët e fundit ka akuzuar Qeverinë e Britanisë së Madhe për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

Qeveria serbe akuzoi Britaninë se vetëm me “lejen” e saj, Qeveria e Kosovës mori disa aksione në veri të vendit, vitin e shkuar.