Serbia e shekullit 21: me kriminelë lufte drejt BE-së
Pasi ka shkaktuar katër luftëra në Ballkan, ka vrarë mijëra njerëz, ka dëbuar nga vatrat e tyre miliona njerëz, ka shkatërruar biografitë e shumë njerëzve – Serbia i është kthyer me intensitet lartësimit të kriminelëve të luftës. E pabesueshme se si BE-ja e toleron këtë politikë, madje edhe e shpërblen duke e integruar Serbinë dhe duke e alimentuar me miliona euro.
Ana Bërnabiq, sekretarja e Aleksandër Vuçiqit, e cila në opinion paraqitet si kryeministre e Serbisë, shkon në Berlin dhe thotë: Srebrenica nuk ishte gjenocid. Këtë ajo e thotë për një medium publik, për Deutsche Wellen. Askush nuk proteston në kryeqytetin gjerman. Madje një diplomat i lartë gjerman rri hazër në Twitter për t’ia uruar publikisht ditëlindjen Anës së dashur. Ky urim do të ishte në rregull sikur Bërnabiq të mos mohonte gjenocidin në Srebrenicë. Në Bosnjë viktimat ndihen të fyera, por kush bëhet merak për viktimat. Koha është e madhëruesve të kriminelëve të luftës, e minimizimit të mizorive.
Mund të merret me mend çfarë pështjellimi do të bëhej në Gjermani – sidomos në politikë e media – po të vinte në Berlin, për shembull, kryeministri i ndonjë shteti arab dhe të thoshte: Holokausti nuk ka ndodhur, Auschwitzi është trillim, përmendorja në qendër të Berlinit në kujtim të viktimave hebraike është e panevojshme. Ndonëse Holokausti nuk mund dhe nuk duhet të krahasohet me mizoritë serbe në Ballkan në vitet ’90, prapëseprapë krimi i luftës është krim i luftës edhe kur përmasat janë të ndryshme.
Kur kryeministrja e Serbisë mohon gjenocidin në Srebrenicë, përse të mos bëhen pjesë e jetës publike edhe të dënuarit për krime të luftës? Brenda pak javësh në emisionet televizive janë kyçur direkt nga Haga Ratko Mladiqi dhe Radovan Karagjiqi. Kasap-gjenerali Mladiq foli për një kanal televiziv në Beograd, Karagjiqi për një kanal proserb në Mal të Zi. Me narcizmin e tij toksik Karagjiq tha se malazeztë kanë probleme identiteti dhe duhet edhe pak kohë që ata të kthehen në prehrin e ngrohtë të serbizmit.
Në debatet publike në Serbi është bërë “normale” që kriminelët e luftës të trajtohen si heronj. Autoritetet promovojnë librat e të dënuarve për krime masive në Kosovë (rasti i Nebojsha Pavkoviqit). Kriminelë të tjerë të luftës angazhohen për të ligjëruar në akademitë ushtarake. Ministri i Mbrojtjes në prononcimet e tij përdor fjalën pezhorative “shiptar” për t’i përshkruar shqiptarët. Thuhet se masakrat në Kosovë nuk kanë ndodhur fare, një gjeneral serb i dyshuar për krime në fshatra të Drenicës me vite drejtoi ushtrinë serbe, madje u prit edhe nga KFOR-i në Prishtinë, pastaj u pensionua pa therë në këmbë. Pra, pasi ka shkaktuar katër luftëra në Ballkan, ka vrarë mijëra njerëz, ka dëbuar nga vatrat e tyre miliona njerëz, ka shkatërruar biografitë e shumë njerëzve – Serbia i është kthyer lartësimit të kriminelëve të luftës. E pabesueshme se si BE-ja e toleron këtë politikë.
Gjuha e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, për shembull, nuk “kultivohet” vetëm nga eksponentët e pushtetit si kryeministrja serbe. Edhe politikanë të opozitës serbe nxisin urrejtje. Aktori Sergej Trifunoviq përdor saktësisht gjuhën e krimineles së luftës Biljana Plavshiq, e cila pak a shumë pati thënë se Alija Izetbegoviqi dhe Bill Clintoni janë marrë vesh për të inskenuar Srebrenicën, për t’ia hapur dyert ndërhyrjes ndërkombëtare. Organizata e rinisë e partisë fashiste Dveri së fundi ua uroi Pashkët ortodoksë Radovan Karagjiqit dhe Ratko Mladiqit.
Duket se një pjesë e madhe e establishmentit politik serb dhe e shoqërisë serbe nuk mund të jetojnë pa urryer. Këtë e tregon edhe fushata disamujore që po zhvillohet në Serbi kundër bukëpjekësve shqiptarë. Në Novi-Sad nacionalistët përpilojnë lista të pronarëve të furrave të bukës me pronarë shqiptarë. Në Beograd ultranacionalistët marshojnë para furrës së një shqiptari, vendosin dy koka derri mbi një veturë dhe gërvallen me orë të tërë. Një orgji nacionaliste në prani të policisë, e cila bën sehir, ndërsa pushtetarët heshtin dhe me heshtjen e tyre miratojnë këtë sjellje fashiste.
Skandaloze është heshtja e diplomatëve të Bashkimit Evropian. Në Beograd BE-ja ka misionin e saj, aty janë ambasadat e pothuaj të gjitha vendeve të BE-së, në Bruksel komisionerët Federica Mogherini e Johannes Hahn kanë ekipe që e kanë për obligim të përcjellin zhvillimet në Ballkan, rrjedhimisht edhe në Kosovë. Kur ndonjë autobus me serbë në Kosovë sulmohet nga persona të panjohur, shqetësimi i BE-së është kolosal. Kur fashistët në mes të Beogradit rrethojnë një furrë me pronar shqiptar dhe kërcënojnë me linçimin e tij, mbretëron heshtje. Duket se nga prizmi i Brukselit në Ballkan ka popuj të klasës së parë dhe të klasës së dytë.