Së paku 4 kandidatë për deputetë i bien pishman – tërhiqen nga gara
Pakënaqësitë me koalicionin parazgjedhor ndërmjet Partisë Euroatlantike të ish-deputetit Milaim Zeka dhe Partisë ‘Republikanët e Kosovës’, kanë bërë që disa prej kandidatëve të kësaj të fundit, të marrin vendim për tërheqje nga gara për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ibrahim Abazi ishte njëri nga kandidatët, i cili në këto zgjedhje po garonte për deputetë, por një ditë më parë, ai u decertifikua nga KQZ-ja, raporton KTV.
Abazi thotë se vendosi të tërhiqej nga kjo garë kur mori vesh se Republikanët do të shkriheshin në kuadër të Partisë të sapoformuar Euroaltanike.
Adil Beqaj gjithashtu, ishte kandidati tjetër që u tërhoq nga gara për deputetë.
Ndonëse në profilin e tij në Facebook, Beqaj ka shkruar se ishte pikërisht koalicioni me partinë Euroaltanike, që e kishte shtyrë atë të tërhiqej nga kjo garë, Beqaj, i kontaktuar nga KTV-ja, ka thënë se është tërhequr për arsye personale.
Por, sipas kryetarit të partisë ‘Republikanët e Kosovës’ Faton Kurti, kjo nuk ka qenë arsye e tërheqjes së këtyre kandidatëve.
Ai, përmes telefonit, i ka thënë televizionit se ata tashmë janë zëvendësuar me persona të tjerë.
Përveç këtyre kandidatëve, KQZ-ja de-certifikoi edhe dy kandidate të tjera, Selvete Ibrahimin nga PEK dhe Nita Ethemi nga partia Fjala.
KTV-ja ka kontaktuar me kryetarin e partisë Euroatlanike Milaim Zeka, i cili ka thënë se Ibrahimi është tërhequr nga gara për çështje familjare.
Ndërsa, bartësi i listës së partisë Fjala Gëzim Kelmendi, përmes telefonit, ka thënë se Nita Ethemi është tërhequr, për shkak të presioneve familjare.