ARKIVA

Sami Frasheri reformatori Botëror,qe reformoi gjuhen Turke nga Osmanlishtja

Fjalorin turqisht-turqisht Sami Frashëri është i pari që guxoi ta botojë me titullin turqisht “Kamus-u Turki”, sepse Pallati Osman të dënonte rreptësisht të shkruaje turk dhe Turqi, në një kohë kur madje as turku vetë nuk shprehej dot: “Unë jam turk dhe atdheu im quhet Turqi”.Sami Frashëri, që ishte shqiptar dhe guximtar mundi t’a shpëtojë turqishten nga osmanishtja.

Sami Frashëri, ose siç e thërresin turqit Shemsedin Sami, është shqiptari që i ka bërë shërbime kolosale dhe rrënjësore gjuhës letrare turke, të cilës i vuri baza shkencore, turkologu më në zë dhe i pari që botoi në turqisht romanin “Dashuria e Talatit me Fitnetin”, Stamboll, 1873.

Në një kohë që Pallati Osman, nuk lejonte as të thuhej turk dhe Turqi, ai hartoi dhe botoi alfabetin dhe gramatikën e gjuhës turke. Jo vetëm shtypit, kulturës dhe letërsisë turke, por edhe arsimit të Turqisë, Sami Frashëri i ka shërbyer me 10 vepra gjuhësore, didaktike, si alfabete, gramatika e fjalorë, që ruajnë vlera aktuale. Vlen të përmenden mjaft dorëshkrime turkologjike si:

Orhun Abideleri (Monumentet Orkun), Kudakbubilig (Dije që të jep lumturi), Lehçei Turkiye (Dialekti i turqishtes së Anadollit), etj.

Mund të thuhet se turkologjia ka filluar me Sami Frashërin. Fjalorin turqisht-turqisht Sami Frashëri është i pari që guxoi ta botojë me titullin turqisht “Kamus-u Turki”, sepse Pallati Osman të dënonte rreptësisht të shkruaje turk dhe Turqi, në një kohë kur madje as turku vetë nuk shprehej dot: “Unë jam turk dhe atdheu im quhet Turqi”.

Sami Frashëri botoi fjalorin e gjuhës letrare turke, ku u bënte të ditur turqve se fjala osman, otoman, osmanlli, nuk përfshin as gjuhën, as kulturën turke dhe as vetë Turqinë. Osmanlli është titulli, emri i një dinastie familjare perandorake. Sami Frashëri, që ishte shqiptar dhe guximtar mundi t’a shpëtojë turqishten nga osmanishtja. Samiu në parathënien e fjalorit Kamus-u Turki (Fjalori i gjuhës turke) thotë se fjala osman tregon një mbiemër fisi, ndërsa turqit kanë jetuar edhe para fisit dhe shtetit osman, prandaj duhet thënë: gjuha turke, fjalori i turqishtes dhe jo gjuha osmane, fjalori i osmanishtes. Deri në vitin 1902 asnjë letrar, linguist, shkrimtar turko-osman nuk shkruante dhe botonte dot shteti turk, atdheu turk, gjuha turke, ata detyroheshin të përdornin epitetin osman, ndryshe u pritej koka ose kalbeshin në burg dhe kjo vazhdoi deri më 1920, kur u themelua shteti turk kombëtar në Ankara, i drejtuar nga Mustafa Qemali.

Në vitin 1911 ministri i arsimit në faqen e fundit të abetares komunikonte si vijon:

“Ai që paskëtaj do të shkruaj shteti turk, gjuha turke, vatani turk, do të dënohet”.

Sami Frashëri është nga guximtarët e parë, ndoshta i pari, që turqit i shpëtoi nga përbuzja shekullore osmane dhe u dha nderin, virtytin e madh, që e meritonin, duke u përmendur hapur fjalën turk dhe Turqi.

Ç’kanë shkruar penat europiane për shqiptarët?

Lidhur me shërbimet e shumta të shqiptarëve në perandorinë osmane kanë shkruar shumë historianë, shkrimtarë, politologë dhe studiues të famshëm në Europë dhe në botë. Drejtori i punës kërkimore në Qendrën Kombëtare të Hulumtimeve Shkencore të Francës “Les Balkans Ottomans”, Jean Paul Roux, shkruan: “Nga 1453 deri 1623, nga 26 vezirë të mëdhenj (kryeministra), të cilëve ua njohim origjinën, 11 janë shqiptarë, 6 grekë, të tjerët sirkasianë, armenas, gjeorgjianë, italianë dhe vetëm 5 turq”. Ndërsa biografi gjerman Dagobert von Micusch ngrë lart rolin e fuqishëm civil e ushtarak të shqiptarëve, duke i cilësuar ata: “Zviceranët e perandorisë otomane”, që vazhdimisht kanë mbajtur e furnizuar gardën personale të vetë Sulltanit”.

Orientalisti i njohur francez Leon Kahun, alzasian, që ka studiuar zakonet, traditat dhe mentalitetin e veçantë të shqiptarëve, në monografi në “Hasan Jeniçeri” shkruan se shqiptari i shërbente me devotshmëri perandorëve osmanë.

Shkrimtari i shquar francez Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire) (1880-1918), pasi e lexoi “Hasan Jeniçerin”, ka shkruar si vijon: “Është një kryevepër dhe punimi më i mirë i frymëzuar nga historia civile e shqiptarëve”.

Edhe pse vepra ka karakter historik, Apolineri sheh në të, në radhë të parë, dukurinë qytetare e qytetëruese të shqiptarëve sintetizuar në virtytshmërinë historike të tyre, si nderi, trimëria, shpirtmadhësia, dashuria, miqësia e pastër, bujaria e krenaria kombëtare, që formonin të gjitha së toku një tip të caktuar social e psikologjik, të cilat prej kohësh kishin tërhequr vëmendjen e mjaft autorëve e studiuesve të huaj. “Ishte në plot kuptimin e fjalës tipi fisnik me burrëri civile, me veti e virtyte të larta në luftë të përhershme me tallazet e jetës, i pamposhtur gjer në flijim. Nga ky këndvështrim vepra e Leon Kahun-it merr rëndësi të madhe aktuale dhe nxjerr në pah vlerat e vërteta të karakterit qytetar shqiptar, vlera që kanë jetuar dhe mbijetuar historikisht: trimëria, fisnikëria dhe dashuria plot ndjenjë të kulluar, të tre këta elementë në një mjedis të dhunshëm, fetar e ushtarak. Shqiptarët kanë dhënë historikisht tek të tjerët gjithçka të mirë që kanë pasur, gjithë fuqinë e mendjes, krahut, shpirtit”.

Kush është Hasan Jeniçeri i Leon Kahunit?

Është po ai shqiptar që ka luftuar me tërbim turkun për lirinë e tij të shenjtë por që në rrjedhë të kohës i nënshtrohet fatit të tij të mbijetesës dhe bëhet vëlla po me turkun, brenda familjes së fuqishme luftarake, siç ishte Oxhaku i jeniçerëve. Duke i shërbyer tashmë me devotshmëri e përkushtim, në kuadrin e një mentaliteti e fryme të caktuar historike ai jetoi me turkun nën një çati në një oxhak 500 vjet, duke ndarë kështu së bashku të mirën dhe të keqen, duke qenë i detyruar në fund të fundit të ndajë fate të përbashkëta, kjo jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë popujt e perandorisë.