Salihu i shkruan kryetares së Kuvendit të Shqipërisë: Shqiptarët në Serbi po terrorizohen nga regjimi serb, ju lutem na ndihmoni
Presidenti i Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi, Muharrem Salihu, i ka shkruar një letër publike, kryetares së re të Kuvendit të Shqipërisë, znj.Lindita Nikolla, me ç’rast kërkoj mbështetjen e shtetit shqiptar për qytetarët që jetojnë në pjesën jugore të Serbisë , respektivisht në qytetet shqiptare, atë të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit.
Ndër të tjera, Salihu, nëpërmjet shkresës publike, i tha që AFEDS, është një grup aktivistësh kombëtarë, që punojnë me përkushtim dhe vullnet për ndaljen e procesve të shkombëtarizimit të trojeve shqiptare
Tutje, Salihu, kërkoj që shqiptarët të cilët jetojnë në shtetin e Serbisë, të mos lihen vetëm nga dy shtetet amë, atë të Shqipërisë dhe Kosovës.
Letra e plotë e Presidentit të Forumit Shqiptar, Muharrem Salihut drejtuar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla:
E nderuar zonja Nikolla,
me kënaqësi mësova lajmin e zgjedhjes suaj në detyrën më të lartë, atë të kreut të Kuvendit të Shqipërisë. Ky institucion i rëndësishëm, të cilin ju do ta kryesoni për katër vitet e ardhshme, ka peshën e madhe të një vendimmarrjeje që kapërcen kufijtë e Shqipërisë. Unë jam plotësisht i bindur që ju, do ta zhvilloni me urtësi e fisnikëri detyren tuaj të lartë.
Si President i AFEDS, më lejoni t’ju them se përfaqësoj një grup aktivistësh kombëtarë, që punojnë me të gjitha mjetet e ligjshme, që synojnë të ndalin proceset shkombëtarizuese të trojeve tona. Që të sjellin zhvillim ekonomik e social në trojet shqiptare, veçanërisht në trojet shqiptare që padrejtësisht janë në administrimin e shtetit të Serbisë.
E nderuara zonja kryekuvendare, dua që t’ju bëj me dije në Republikën Serbe, ne gjendemi përballë presionesh të mëdha, programesh të mirëmenduara që na kanë reduktuar ndjeshëm në pikëpamje numerike, ndonëse ne në diasporë, kemi fuqi të madhe për ta rimëkëmbur atdheun tonë.
Për këtë arsye ne kemi mirëpritur Procesin e Berlinit, iniciativën Open Ballkan në funksion të këtij procesi, si dhe çdo iniciativë tjetër dalëse, që në përgjithësi synojnë relaksimin e marrëdhënieve Shqipëri – Serbi, që mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit tonë.
Për t’ju ilustruar idetë se si mund të veprohet, se ç’rol mund të ketë Kuvendi i Shqipërisë, dhe se sa shumë e rëndësishme është krijimi i një Fronti të ri Kombëtar (nga bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë), do të isha shumë i lumtur dhe i nderuar që të mund të kemi një takim, kurdo dhe kudo që agjenda juaj do të na mundësoj.
Deri atëherë, do doja t’ju tërhiqja vëmendjen në vizitën tuaj të sotme në Prishtinë. Zgjedhjet në të dy vendet, bllokuan në sërë procesesh që synonin kompaktisimin e faktorit shqiptar në Serbi, nëpërmjet një trupe koordinuese, ku do të kishte përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova. Do të ju lutesha ta rimerrnit këtë çështje, brenda shqetësimit tonë “spastrimit etnik me mjete administrative nëpërmjet pasivizimit të adresave”.
Duket se kemi dy nëna, por nëse asnjëra nuk flet për ne, atëherë s’jemi gjë tjetër përveçse jetim. Mos na lini jetim, ju lutem! Flisni me homologun tuaj të Kosovës dhe po patët mundësi, dilni me një deklaratë të përbashkët kundër pasivizimit të adresave. Do të ju lutesha për një dajle publike në këtë drejtim.
Me besimin dhe dëshirën në suksesin tuaj personal e institucional,
Presidenti i Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik, Muharrem Salihu