Salihu: Fati i shqiptarëve në Serbi, i lidhur ngushtë me atë të Kosovës
Muharrem Salihu
Fati dhe e ardhmja e ne shqiptarëve në Serbi janë të lidhura drejtpërdrejtë me fatin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Kosovë.
Një Kosovë me institucione të forta, të pavarura, e të qëndrueshme, që respektojnë të drejtat e qytetarëve dhe që punojnë në të mirë të tyre, përbën një garanci, që po këto institucione të punojnë dhe të angazhohen për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
Paqëndrueshmëria aktuale politike në Kosovë, ka larguar tërësisht vëmendjen nga shqiptarët të Serbi, pozita e të cilëve po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
Shpopullimi i shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshëvë po vazhdon të kryhet me ritme të shpejta, si asnjëherë më parë, duke të krijuar idenë se para marrëveshjes Kosovë – Serbi këto troje duhet të boshatisen sa më shpejt dhe sa më shumë nga shqiptarët.
Nëse trevat shqiptare në Serbi do të boshatisen nga shqiptarët autoktonë, atëherë këto troje ka pak gjasë që të bëhen pjesë e negociatave për ardhmërinë e mëtejshme të tyre.
Dhe në këtë rast, Serbi “paqësisht” mban përfundimisht në territor të saj trevat autoktone shqiptare, të cilat i mban padrejtësisht prej më shumë se 140 vitesh.
Heshtja vrasëse e Tiranës dhe e Prishtinës, por edhe e drejtuesve politikë dhe të pushtetit lokal në komunat shqiptare në Serbi, ka bërë që shteti i Serbisë të vijojë shpopullimin e trojeve tona, në situatë komode dhe pa u cënuar në asnjë moment.
A lidhet kjo heshtje me presionin që po ushtrohet për realizimin sa më shpejt të një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?
A janë të përfshira tre komunat shqiptare në Serbi në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë?
A është shpopullimi nga shqiptarët i trojeve tona autoktone në Serbi, një lënia e heshtur dhe e qëllimishme për të favorizuar Serbinë?
A synhet shpërbërja e popullatës shqiptare në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, që të ndimohet Serbia për të mbajtur troje shqipatare në territorin e tyre?
Të gjitha këto pyetje kanë nevojë për përgjigje, por politikanët nga të dy anët e kufirit heshtin dhe kjo heshtje është e qëllimshme dhe njëkohësisht e dëmshme për ne shqiptarët.
Nga ana tjetër, është popullata shqiptare në Serbi, e cila beson në mënyrë të vazhdueshme te politikanët, të cilët në dy dekadat e fundit nuk u kanë sjellë asnjë ndryshim pozitiv në jetët e tyre.
Ka ardhur koha që popullata shqiptare të shikojnë përtej dhe të kërkojë ndryshimin përmes ndërrimit të formës së përfaqësimit. Pasi kjo formë dakordësie dhe dëgjueshmëria absolute në zbatimin e planeve dhe strategjive që imponon qeveria e shtetit ku jetojmë ne, po na dëmton.
Ndaj lind e nevojshme të rikthehet vetbesimi te popullata e dëshpëruar. Në këtë kontekst, edhe subjektet politike shqiptare kanë humbur kuptimin e ekzistencës së tyre.
Ato nuk e kanë bërë pjesë të punës së tyre shtrirjen horizontalisht, por kanë dalë para kauzës dhe individët drejtues kanë dalë para subjekteve.
Kjo bën që e gjithë politika ndër shqiptarët të bëhet për interest të një grushti njerëzish, ndërsa popullata mbetet gjithnjë e papërfaqësuar. Gjë e cila ka cënuar drejtpërdrejtë shpresën te shqiptarët, që gjendja e tyre do të përmirësohet.
Ndaj gjykoj se një unifikim i shqiptarëve të Serbisë në një forcë të vetme politike, që do i përfaqësojë në tre komunat në mënyrë proporcionale dhe me një politikë të unifikuar në mbrojtjen e shqiptarëve jo vetëm në tre komunat, por e të gjithë shqiptarëve në Serbi. Pasi vetëm të bashkuar mund të bëhemi faktor të suksesshëm.
Edhe pse jemi në periudhë pandemie botërore, qeveria në Shqipëria nuk duhet të “harrojë” zbatimin e një detyrimi kushtetues që është mbështja dhe ndihmesa për shqiptarët në troje dhe ne vërtetë që kemi kaq shumë nevojë.
Të dyja qeveritë shqiptare kanë munguar gjatë dhe duhet të bëhen të gjalla për të ndikuar në zgjidhjen e problemeve tona, ende sa ka kohë.
Muharrem Salihu
Themelues i AFEDS
Asambleist në kk Medvegje