Salihu: Asnjë interesim, as nga Kosova e as Shqipëria për t’iu ndihmuar shqiptarëve në Luginë
Dr Driton Salihu, drejtor në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, ka bërë të ditur se deri më sot nuk është paraqitur asnjë person i infektuar me koronavirusin e ri Covid-19.
“Der më sot në komunën e Preshevës nuk kemi asnjë të prekur me koronavirus”, ka deklaruar ai për televizionin “Dukagjini”.
Salihu ka thënë se në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë jënë marrë masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit qysh kur janë paraqitur rastet e para në rajon. Ai ka thënë se të gjithë qytetarëve që kanë nevojë, shërbimet shëndetësore u ofrohen në orare dhe në hapësira të veçanta, në mënyrë që të parandalohet përhapja eventuale e virusit.
Dr Salihu ka thënë se Shtëpia e Shëndetit në Preshevë është e përgatitur edhe për situatën e shfaqjes eventuale të pandemisë.
Ai ka treguar se këtij institucioni shëndetësor nuk i është ofruar kurrfarë ndihme as nga Kosova dhe as nga Shqipëria.
“Tani nuk është momenti të kritikojmë as Qeverinë e Kosovës dhe as Qeverinë e Shqipërisë, sepse ato ballafaqohen me pandeminë e koronavirusit, por e vërteta është se deri më sot nuk ka shprehur asnjë interesim për gjendjen në Preshevë asnjëra prej tyre”, ka thënë Salihu.
Por, ai ka treguar se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të indinjuar me zhvillimet politike në Kosovë.
“Qytetarët e Preshevës janë shumë të revoltuar me politikën e Kosovës. Ata i gjykojnë liderët politikë në Kosovë për tensione politike në kohën kur më shumë se kurrë është i nevojshëm bashkëveprimi”, ka thënë ai. (r.m.)