Të fundit

Albin Kurti del me ofertë publike për LDK-në: Këta janë 5 ministrat e VV-së, LDK t’i propozojë 5 emra

Para takimit me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, lideri i LV-së, Albin Kurti ka dalë me një video mesazh ku i ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës që të bëjnë marrëveshjen sa më shpejtë. Kurti i ka bërë publike edhe propozimet e tij për ministra ndërsa ka kërkuar nga Isa Mustafa që edhe ai t’i propozojë pesë emra.

Kurti ka thënë se sot do të shkojë në takim me presidentin e vendit, Hashim Thaçin pa pasur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Sot u bënë tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kur qytetarët masivisht votuan edhe për ndryshime politike në vend edhe e bënë Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjekt të parë e fitues. Më 26 dhjetor 2019, në seancën konstituive të legjislaturës së shtatë u detyruam të shkojmë pa marrëveshje me LDK-në. Sot, më 6 janar 2020, në takim konsultativ me Presidentin e Republikës, sërish jam i detyruar të shkoj pa marrëveshje me LDK-në. Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk m’u bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me Presidentin e shtetit”, ka deklaruar Kurti.

I njejti ka thënë se nuk ka kohë për të humbur, derisa, ju bën thirrje LDK-së që të propozojë emrat e ministrive, ndërsa, ka publikuar edhe emrat të cilët i ka propozuar ai.

“Të dashur qytetarë të Republikës, Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do të na zë pa qeveri. Si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i juaji politik që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur. Koha që po ikën pa kthim nuk është kohë private e individuale e politikanëve, por është kohë e shtetit dhe kohë publike, e të gjithëve e për të gjithë. I bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së që sa më parë t’m’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo të zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj”, shton ai.

Lideri i LV-së ka bërë thirrjë që të fillohet puna për krijimin e qeverisë.