Lajme

Sali Berisha për ftesën e Speciales: Treshja Vuçiq-Thaçi-Rama e duan Haradinajn në burg

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur për dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, pas ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar në Hagës si i dyshuar.

Berisha ka thënë se nuk do të merret me ata që thurin konspiracione se kush mund të qëndrojë prapa një thirrje të tillë të Speciales, por thotë se do të flasë për fakte që janë jashtëzakonisht të qarta.

Sipas tij Ramush Haradinajn e dëshironin prapa hekurave, treshja Vuçiq-Thaçi-Rama, dhe Baton Haxhiu, të cilit ish-kryeministri shqiptar i drejtohet me “Baton Stanishiqi”, shkruan Gazeta Express.

“Njerëzit më të interesuar për ta parë Ramush Haradinajn prapa hekurave kanë qenë presidenti i serbomadhisë Vuçiq, dhe trojka shqipfolëse albanofobe, Zografi Blis, Milladini shqipfolës, dhe Baton Stanishiqi”, ka thënë Berisha.

Ish-kreu i PD’së teksa citon BBC’në, thotë se Haradinaj mund të jetë ftuar nga Gjykata Speciale pasi Beogradi së fundi ka dërguar një dosje në Hagë.

Ndërkohë sipas tij mbetet të shihet nëse në atë dosje kanë dorë edhe treshja shqiptare, Thaçi-Rama- Haxhiu./