Sabri Kiçmari vjen me librin për diplomacinë e UÇK-së
Në ambientet e Fakultetit Filozofik është promovuar libri “Fitorja diplomatike – Kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” i autorit Sabri Kiçmari.
Promovimi i librit u bë më ndryshe nga se jemi mësuar, ku autori u është përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga gazetari Durim Abdullahu.
Rektori i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, tha se autori i librit, Sabri Kiçmari, luajti një rol shumë të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë. Ai tha se është nder që Kiçmari është kthyer në atdhe dhe jep kontributin e tij si profesor në Fakultetin Filozofik.
“Sot kemi një pjesë të kujtimeve të përfaqësimit diplomatik të luftës çlirimtare, sidomos në Evropë, ‘që ka shumë te na’ thotë Sabri Kiçmari”, tha ai.
Ndërsa vet autori i librit, Sabri Kiçmari, tha se jo rastësisht është zgjedhur dita e sotme për promovimin e këtij libri. Ai bëri të ditur se në çdo takim që ka pasur me diplomatë të huaj, ua ka bërë të ditur se nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës së çlirimit.
Ai foli edhe për takimin me diplomatin gjerman Wolfgang Ischinger.
“Ideja e tij ishte që të fokusojë lidhjen tonë me UÇK-në. Fokusi i tij nuk ishte LDK-ja dhe Bukoshi. Fokusi i tij ishte se çfarë po thoja unë. Gjatë takimit tonë, Ibrahim Kelmendi bëri një lloj komunikimi jo shumë me takt dhe pata përshtypjen që u keqkuptua, dhe ndërhyva unë. Pas takimit, njëri nga zyrtarët gjermanë më tha: ‘gjuha që ju përdorni është e suksesshme në rrethet diplomatike, por gjuha e mikut tuaj është e vështirë për këtë rreth’. Është edhe një komunikim interesant, kur një prej ushtarëve më tha: ‘kur mendoni të fitoni’, i thashë: ‘ne kemi fitu dhe jemi shumë të vendosur’. Unë dëshiroja të paraqes bindjen që nuk ka çfarë e ndal UÇK-në. Dhe ai më tha brenda 50 viteve të ardhshme jo, e unë i thash: ‘kur ti të jesh ende në detyrë ne do të fitojmë'”, tha ai.
Kiçmari u shpreh se dokumentet origjinale mbi të cilat është shkruar libri janë të ruajtura mirë, por theksoi se nuk është koha e duhur që të bëhet publike vendi i ruajtjes së tyre.
Tutje, ai tha se shumica e takimeve me diplomatë të huaj është bërë pa ndërmjetësues. Vëmendje të posaçme autori u kushtoi raporteve me komandantin Fehmi Lladrovci. “Nuk ka pasur komandant më të dinjitetshëm për ta zëvendësuar Adem Jasharin”, tha Kiçmari