Lajme

Rusia ndihmon Serbinë të bëhet superfuqi energjitike në Ballkan

Gazprom nga Rusia ka filluar ndërtimin e centralit të ri të gazit natyror me kapacitet prej 200 megavatësh në Panqevë, Serbi. Ky termocentral është i pari i këtij lloji në Ballkan, raporton SeeNews.

Vetëm pak kohë më parë, Serbia kishte paralajmëruar përfundimin e ndërtimit të termocentralit Kostolac B3 si dhe fillimin e ndërtimit të dy të rinjëve të emëruar Nikola Tesla A1 dhe A2. Termocentrali në Panqevë është projekti i rradhës i paralajmëruar nga Serbia në fushën e prodhimit të energjisë elektrike.

Të gjitha këto termocentrale janë financuar nga fonde shtetërore të Kinës, deri sa i fundit përkrahet nga Gazprom nga Rusia. Mediat kanë paralajmëruar se Serbia synon pozitën e liderit energjetik në rajon, duke planifikuar më shumë se 2500 megavat projekte të reja nga qymyri në strategjinë e saj energjetike, raporton Bankwatch.

Pas Serbisë, Bosnia dhe Hercegovina rradhitet e dyta në listën e projekteve të paralajmëruara të prodhimit të rrymës nga qymyri, me rreth 2450 megavat të planifikuara. Madje, pak ditë më parë parlamenti në këtë vend kishte aprovuar garancinë shtetërore për ndërtimin e një termocentrali të ri, të financuar nga Kina.

Mediat raportojnë se përmes këtyre aktiviteteve Kina me përkrahje të Rusisë, po tenton të shtrijë ndikimin politik në Ballkan, përmes investimit në projekte të mëdha, si ato të ndërtimit të termocentraleve.

Si kundërpërgjigjje ndaj zgjerimit të ndikimit, Senati Amerikan kishte miratuar projektligjin për krijimin e një agjencie të investimit në vende në zhvillim me kapital prej 60 miliardë dollarësh, raporton Financial Times. Me anë të projektligjit ky vend mëton të përshpejtojë zgjerimin dhe ri-disejnimin e Korporatës Amerikane Private të Investimit (OPIC).

Amerikanët vlerësojnë se kjo iniciativë do të ofronte alternativë të fuqishme kundrejt iniciativave të drejtuara nga shteti i Kinës, që la shumë vende në zhvillim në borxhe të mëdha.