Bota

Rrufeja godet dasmorët, së paku 17 të vdekur dhe mbi 10 të tjerë të lënduar

Së paku 17 persona kanë vdekur e mbi 10 të tjerë janë lënduar të mërkurën, kur rrufeja goditi ra mbi dasmorët në Bangladesh, të cilët ceremoninë po e zhvillonin në një barkë, thanë zyrtarët e këtij shteti.

Rrufeja e goditi barkën në kohën kur ajo arriti në bregun e lumit Padma në qytezën Shigbanj, përderisa dasmorët ishin nisur drejt shtëpisë së nuses, tha zyrtari policor, Farid Hossain.

“Ne kemi informata për 17 persona të vdekur dhe disa të tjerë të pranuar në spital”, tha zyrtari policor.

Zyrtari i zjarrfikësve, Meherul Islam, katërmbëdhjetë persona janë lënduar dhe janë dërguar në spital. Në mesin e të lënduarve është edhe dhëndri, shkruan Reuters.

Rrufeja mbyt qindra njerëz çdo vit në Bangladesh, shteti i cili goditjet nga rrufeja i shpalli fatkeqësi natyrore më 2016, kur mbi 200 persona kishin vdekur vetëm në muajin maj të atij viti, përfshirë 82 për një ditë.

Shumica e vdekjeve nga rrufeja në Bangladesh zakonisht ndodhin gjatë muajve të nxehtë, nga marsi deri në korrik.

Ekspertët thonë se rritja e rasteve fatale nga goditja e rrufesë është e lidhur me shpyllëzimin, i cili ka shkaktuar zhdukje të shumë drurëve të gjatë, të cilët do ta tërhiqnin rrufenë.