Maqedoni

Rrezohet helikopteri policor, është përplasur ende pa u ngjitur në ajër, në ekuipazh ishin 5 policë

Një helikopter policor është rrëzuar në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit. Rezervuari ishte mbushur me lëndë djegëse dhe po bëhej gati të nisë aktivitetet siç parashihen me planin vjetor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por ende pa u ngjitur në ajër, helikopteri është përplasur për tokë.

Ngjarja ka ndodhur në orën 11:30.

Fatbardha Curri:
“Jemi afër aeroportit të Shkupit ku në pistën e të cilit sot është aksidentuar një helikopter policor, brenda të cilit kanë qenë pesë policë. Mirëpo, sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, njëri nga pesë policët është lënduar lehtë”.

Ekipet e gazetarëve dy orë pritën për të marrë informacione më të detajuara. Gjatë kësaj kohe, të pranishme në ngjarje shiheshin edhe automjete të Ndihmës së shpejtë dhe të zjarrfikësve.

Por, edhe pse në fillim u tha se do të na mundësohet një incizim nga afër ngjarjes, kjo nuk ndodhi. Arsye ishte se Prokuroria Publike ishte duke realizuar ekspertizë për të siguruar dëshmi materiale për procedurë hetimore.

Për të verifikuar faktet dhe rrethanat që kanë sjellë deri te rrëzimi i helikopterit, aktivitete ka ndërmarrë edhe Ministria e Punëve të Brendshme, njoftoi ministri Naqe Çulev.

Naqe Çulev, Ministër i Brendshëm:

“Sipas planit vjetor për aktivitetet të rregullta, pjesëtarët e MPB-së kanë realizuar fluturim trenazh. Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha aktivitetet e domosdoshme, ndërkaq në bashkëpunim me Agjencinë për fluturim civil dhe ajror do të formojë komision i cili duhet në tërësi t’i verifikojë faktet dhe rrethanat nën të cilat ka ndodhur rasti”.

Ndërkaq, jo zyrtarisht thuhet se shkak i rrëzimit të helikopterit ishte era e fortë, e cila gjatë gjithë kohës ishte e pranishme në këtë lokacion.