Rrëfimi prekës i Shaqirit: U rritëm në varfëri, ruanim paratë t’i dërgonim në Kosovë
Tashti fiton milionat, është një nga emrat e mëdhenj të futbollit, por dikur ishte ndryshe.
Xherdan Shaqiri bashkë me familjen, në të kaluaren, jetonin në kushte shumë të vështira, e këtë e thotë edhe vetë futbollisti i njohur.
“Shtëpia jonë nuk kishte nxehje qendrore. Vetëm një oxhak të madh. Ishte një shtëpi shumë e vjetër në një fermë në Basel, ishte ashtu si ishte. As që më shkonte mendja për shtëpinë dhe kushtet e saj, ngrohesha vetë duke vrapuar si një budalla.
Vëllai im i madh ishte ai që ankohej më së shumti për të ftohtin, pasi që dhoma e tij ishte sipër, larg nga oxhaku. Ai detyrohej të mbulohej ndoshta me pesë batanije gjatë kohës së dimrit”, ka thënë Shaqiri në një deklaratë të sinqertë.
Ai, ka shtuar: “Zvicra është një vend i shtrenjtë për të gjithë, por ishte shumë më i vështirë për prindërit e mi, sepse ata dërgonin para te familjarët tanë që ishin në Kosovë”.
Sot, Shaqiri është mbështetje e fuqishme për familjen dhe një ndër yjet e padiskutueshëm të futbollit ndërkombëtar.