Rohde: Nuk do të lejojmë një `Republikë serbe` në tokën e Kosovës
Propozimi i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk parashikon asnjë “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kështu thotë për Radio Kosovën, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Ai ka theksuar se Gjermania i gëzohet rezultateve pozitive të dialogut në takimin e Brukselit ku palët deklaruan se pranojnë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Ai theksoi se në dhjetë ditët e ardhshme, Kosova dhe Serbia pritet bëjnë përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes.
Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe Kryeministri Albin Kurti të hënën në Bruksel kanë pranuar planin gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, propozimi ende nuk është nënshkruar. Cilat janë pritjet tuaja?
Jörn Rohde: Fillimisht gëzohem shumë që kemi rastin të takohemi dhe të flasim përsëri për RTK-Radio. Natyrisht, gëzohemi shumë për rezultatet pozitive të dialogut në takimin e nivelit të lartë, që u mbajt të hënën në Bruksel. Siç e thatë dhe ju, të dyja palët janë deklaruar se pranojnë propozimin e Bashkimit Evropian, i cili është përpiluar me iniciativën gjermano-franceze. Siç e dimë, tashmë edhe Qeveria gjermane e mbështet shprehimisht dialogun, që po udhëhiqet nga BE-ja dhe përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Propozimi është një mundësi e madhe për të bërë një hap të madh përpara për arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës dhe kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga palët. Prandaj, ishte shumë e rëndësishme që palët u takuan në Bruksel dhe u pajtuan në parim për pranimin e këtij propozimi, Megjithatë, disa çështje thelbësore ende kanë mbetur të hapura. Kështu, Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani presim që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët, të themi ashtu, të tregojnë angazhim politik.
Bashkimi Evropian tashmë një kohë të gjatë është i angazhuar dhe ka investuar në stabilitetin e rajonit. A është propozimi gjermano-francez një zgjidhja përfundimtare e problemit mes Kosovës dhe Serbisë?
Jörn Rohde: Jo, nuk është, nuk e sjell atë! Ne e kemi thënë në mënyrë shumë të qartë se kjo është vetëm një hap i ndërmjetëm në rrugën drejt normalizimit të plotë dhe gjithëpërfshirës. Pika kryesore e këtij plani, thënë ashtu, është vendosja e trenit në binarë të rregullt dhe nëse marrëveshja do të zbatohet, atëherë i jemi afruar qëllimit pasi kjo është njohje de-fakto e Kosovës nga Serbia.
Siç e tha edhe vetë Kryeministri Albin Kurti, për dallim prej tij, Presidenti Vuçiq, të hënën, nuk ishte i gatshëm të vendoste nënshkrimin në planin për normalizimin e marrëdhënieve. A është kjo një indice se ai nuk do ta nënshkruajë fare propozimin?
Jörn Rohde: Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj, ashtu siç ka thënë edhe zëdhënësi i BE-së, se ne presim nga të dyja palët, që t’i përmbahen asaj për të cilën janë zotuar dhe kanë premtuar të hënën në Bruksel, pra se e kanë pranuar këtë dokument dhe jo të thonë gjëra që bien në kundërshtim me zotimet e tyre. Unë mendoj se tani është çasti i duhur në mënyrë që palët të fillojnë me zbatimin e të gjitha detyrimeve dhe aspekteve, që dalin nga kjo marrëveshje, përfshirë edhe detyrimet dhe obligimet nga koha e kaluar si për shembull, zotimi për të mos penguara anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Menjëherë pas takimit pati interpretime të ndryshme nga palët për sa i përket marrëveshjes për normalizim. A është gjithçka e definuar qartë në marrëveshje, apo ka vend për keqkuptime?
Jörn Rohde: Hollësitë janë në aneksin për implementim. Natyrisht, duhet të ketë sqarim të këtyre detajeve. Por ta përsëris edhe një herë atë që thashë më parë, se nuk duhet thënë gjëra që bien në kundërshtim me zotimet e dhëna, pasi tashmë udhëheqësit politikë të të dyja vendeve kanë dhënë fjalën e tyre dhe duhet të tregojnë zotësinë për zbatimin e marrëveshjes. Por, ajo që është e shkruar në ato dhjetë, apo 11 pika, që janë brenda marrëveshjes, duhet të zbatohen dhe kjo do të sqarohet në hollësi përmes aneksit të marrëveshjes.
Pika kontestuese e planit, momentalisht është Asociacioni i komunave serbe. A nuk ekziston mundësia që një asociacion i tillë të kthehet në një rast precedent për vendet fqinje dhe të paraqesë rrezik për destabilizimin e rajonit?
Jörn Rohde: Tani unë nuk dua të deklarohem për gjëra hipotetike, por mund të them një gjë: ka një obligim që është marrë përsipër më herët për Asociacionin. Mirëpo, ne e kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, pra ne pesë vendet e Kuintit, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi. Ajo që mund të kalojë, për shembull, është ajo që para disa muajsh propozoi një organizatë joqeveritare gjermane: “Fondacioni Friderich Ebert” dhe unë deri më sot, nuk kam dëgjuar askënd, që të më thotë se ky propozim i “Fondacionit Fridirch Ebert” është në kundërshtim me vendimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 2015. Ajo që tani do të kisha dashur, është që Kosova të përmbush obligimin që ka marrë dhe të propozojë vetë një statut për Asociacionin. Kjo është një obligim që ka marrë Kosova dhe jemi në pritje të kësaj iniciative.
Ta zëmë se u nënshkrua plani. Atëherë, çfarë pengesa mund ta sfidojnë zbatimin e tij dhe si do t’i tejkalonte Gjermania dhe BE-ja këto pengesa?
Jörn Rohde: Edhe një herë: Po filloj nga vendi im Gjermania, që është një partner i ngushtë i Kosovës. Ne e kemi bërë këtë propozim së bashku me Francën dhe ky propozim tashmë është propozim i Bashkimit Evropian dhe mbështetet pa as një rezervë nga 27 vendet e BE-së. Propozimi ka mbështetjen e fuqishme edhe nga amerikanët dhe nga vendet evropiane që nuk janë anëtarë të BE-së si Britania e Madhe, Zvicra, Norvegjia. Të gjitha këto vende kanë deklaruar mbështetjen e tyre të fuqishme për këtë plan. Ne edhe më tej do mbesim një partner dhe mik i ngushtë i Kosovës, pro presim nga të dyja palët si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia që, po shprehem kështu – të dalin nga zona e tyre e komforit dhe të tregojnë aftësi të lidershipit politik dhe të japin gjithçka nga vetja për të zbatuar të gjitha pikat e planit të propozuar dhe kjo për të dyja palët kërkon një kompromis.
Si e ka menduar BE-ja mbështetjen e procesit të zbatimit të kësaj marrëveshje? A do të ketë shpërblim për ata që janë konstruktivë dhe a do të ketë konsekuenca për ata që nuk mbajnë zotimin. Para ca ditësh Serbia mori një ndihmë prej 600 milionë eurosh nga BE-ja. Po Kosova a do të marrë ndonjë shpërblim për sjelljen e saj konstruktive?
Jörn Rohde: Këto që thatë, po i dëgjoj në mënyrë të përsëritur. Edhe Kosova këto javë mori një ndihmë të konsiderueshme financiare nga BE-ja. Ne mbështesim zhvillimin e infrastrukturës në secilin vend në Ballkan, sepse ne dëshirojmë që këto vende sa më shpejt të jetë e mundur, të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, sepse dëshirojmë që lidhjet infrastrukturore të rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve në këto vende. Siç e përmenda edhe më parë, ky është një propozim gjermano- francez, përmbajtja e të cilit tani është publikuar dhe në disa prej neneve mund të lexohet se zbatimi i këtij plani, do të monitorohet nga BE-ja. Për këtë qëllim, do të krijohet një Komitet i veçantë i përbashkët për të matur hapat dhe përparimin e bërë. Gjithashtu, është paraparë një pako investuese për të dyja vendet nëse plani përmbyllet me sukses, ashtu siç është parashikuar. Kjo do të thotë se përcjellja e zbatimit të planit, është komplet e garantuar. Gjithashtu, do të ketë ndihmë financiare për të dyja vendet dhe kjo është e shkruar e zezë mbi të bardhë. Pra, konsideroj se kjo është një sinjal i qartë i dhënë përmes garantimit të 27 vendeve për përfundimin e procesit.
A do të ketë pasoja për palën që nuk i përmbahet zotimit?
Jörn Rohde: Natyrisht do të ketë konsekuenca për palën që nuk tregohet konstruktive. Mirëpo, ne nuk kemi arsye të dyshojmë në seriozitetin e palëve, që të hënën në Bruksel u zotuan se e pranojnë këtë plan. Prandaj, presim që të dëshmohet vullnet politik për të hyrë në detaje të zbatimit të tij, sepse ne duam që më në fund të kemi një dinamikë pozitive dhe jo një dinamikë të tillë që e pamë një vit e gjysmë e këtej, duke rrëshqitur nga një krizë në tjetrën.
Zoti Ambasador Rohde, si e vlerësoni angazhimin e Kryeministrit Kurti në dialog, për sa i përket planit gjermano-francez. A është treguar ai një partner parimor?
Jörn Rohde: Nuk jam mësues për të vlerësuar me nota, por atë që mund ta them, është se të dy palët, të hënën janë treguar mjaft konstruktive dhe të përgjegjshëm, duke e pranuar planin. Si partnerë të ngushtë që jemi kemi interes të lartë që Ballkani perëndimor, të bëhet pjesë e strukturave evropiane së më shpejt të jetë e mundur. Kjo u tregua edhe javën e shkuar kur Kancelari Scholz me Presidentin francez u takuan me Kryeministrin Albin Kurti dhe me Presidentin Vuçiq. Kjo tregohet edhe nga letra e përbashkët e Presidentit Macron, Kancelarit Scholz dhe Kryeministres Meloni. Nuk di sa mund të bëhet me shumë se kaq! Prandaj, edhe presim që të dëgjohet këshilla jonë, sepse duam që rajoni dhe partneri ynë Kosova të bëjë hapa përpara dhe pikërisht përmes këtij plani arrihet deri tek normalizimi i gjendjes dhe përmirësimi konkret i jetës për qytetarë. Njohja e integritetit territorial, njohja e simboleve shtetërore, njohja e dokumente janë brenda në këtë dokument, sepse duam që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të normalizohen në të gjitha fushat si në kulturë, ekonomi etj. Pra, bëhet fjalë për përmirësim konkret për qytetarët. Kësaj që thamë, i shërben edhe Procesi i Berlinit, që është krijuar nga Gjermania.
A mund të na thoni qëndrimin tuaj për opozitën? Këto ditë dy nga partitë e mëdha opozitare janë shumë të ashpra me Kryeministrin Kurti për sa i përket propozimit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?
Jörn Rohde: E di, të enjten kishte një debat parlamentar, që ka zgjatur deri pas mesnatës. I ndjek deklaratat e tyre dhe ajo që mund të them është se nuk ia vlen, pra është kot të flasë për të kaluarën, e kam fjalën për temën e diskutimit lidhur me Asociacionin e komunave serbe. Ekziston një obligim që është bartur nga qeveritë e kaluara tek kjo qeveri, pra nga qeveri të kaluara, që ishte përbërë nga opozita e sotme. Ajo qeveri e përbërë atëherë nga opozita e sotme, kishte marrë obligime që nuk i kishte zbatuar dhe tani qeveri e sotme duhet të ballafaqohet me atë trashëgimi. Personalisht, nga opozita pres përgjegjësi politike shtetërore dhe me këtë rast dua të potencoj edhe një herë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi. Prandaj, dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vetë politike, në mënyrë të veçantë opozita.
Një pyetje të fundit: A dihet një afat kohor për arritjen e plotë dhe me sukses të kësaj marrëveshje?
Jörn Rohde: Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, do të takohen më 18 mars në Ohër dhe ne shpresojmë që në dhjetë ditët e ardhshme, të bëhet përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes. Shpresojmë deri në fund të muajit, të arrihet një unifikim qëndrimesh në mënyrë që marrëveshja të nënshkruhet. Pra, ka një presion në kohë për t’u arritur kjo, sepse kemi një situate gjeopolitike me një luftë në Evropë, ndikimin e së cilës po ndihet në çdo vend në planin politik dhe ekonomik. Prandaj, kërkojmë që liderët politikë këtu të tregohen të përgjegjshëm për këtë situatë dhe të arrijnë kompromis në të mirë të vendeve të tyre dhe në të mirë të popullatës së tyre.