Rexhepi: Vazhdon ndjekja institucionale për flamurin kombëtar shqiptar
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka reaguar sot lidhur me atë që e cilëson si vazhdim të presionit institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Përmes një deklarate publike, Rexhepi ka bërë të ditur se ka pranuar ftesë nga gjykata për shkak se në institucionin zyrtar të shqiptarëve ishte vendosur flamuri kombëtar shqiptar.
Sipas tij, ky veprim përbën dëshmi të qartë të trajtimit diskriminues ndaj komunitetit shqiptar, ku flamuri kombëtar konsiderohet shkelje, ndërsa diskriminimi institucional, siç thekson ai, trajtohet si politikë shtetërore.
“Presioni institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës vazhdon. Flamuri trajtohet si shkelje, ndërsa diskriminimi si politikë shtetërore”, ka deklaruar Rexhepi.
Ai ka theksuar se, pavarësisht këtyre veprimeve, nuk do të ketë tërheqje dhe se dinjiteti i shqiptarëve nuk mund të vihet në gjykim.
“Nuk do të tërhiqemi. Dinjiteti nuk gjykohet”, ka përfunduar Rexhepi.
