Të fundit

Rexhepi pritet në MPJ të Shqipërisë, në fokus sfidat e Luginës së Preshevës

Tiranë – Një delegacion i Këshillit Kombëtar Shqiptar, i udhëhequr nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi bashkëpunëori Alban Alili u prit sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë nga ministrja znj. Elisa Spiropali.

Takimi iu kushtua diskutimit të pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe sfidave të shumta me të cilat përballet ky komunitet, duke theksuar domosdoshmërinë e një qasjeje të përbashkët, të koordinuar dhe sistematike nga institucionet shqiptare në adresimin e këtyre çështjeve.

Në mesin e temave kryesore të ngritura gjatë takimit ishin pasivizimi i adresave të shqiptarëve, mosnjohja e diplomave, mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe, përjashtimi i shqiptarëve nga jeta institucionale, si dhe vazhdimi i mohimit të së drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare.

KKSh falënderoi ministren Spiropali për mikpritjen e ngrohtë dhe qasjen bashkëpunuese, duke vlerësuar gatishmërinë e saj për mbështetje të vazhdueshme ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Një vlerësim i veçantë iu bë edhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd për rolin koordinues dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në adresimin e çështjeve të ngritura.

Në përfundim të takimit u theksua se rritja e pranisë dhe angazhimit institucional të Shqipërisë dhe Kosovës në Luginën e Preshevës përfaqëson një faktor kyç për forcimin e pozitës së shqiptarëve në këtë rajon, duke përcjellë mesazhin se vetëm përmes bashkëpunimit të përbashkët mund të ndërtohet një perspektivë më e sigurt dhe më shpresëdhënëse.