Të fundit

LR ndryshon kërkesat për bashkëqeverisje me PVD-në dhe PDSH-në

Sot gjatë ditës është zhvilluar takim mes PDSH-së, PVD-së dhe LR-së, rreth krijimit të koalicionit të ri qeverisës i cili do të udhëhiqte me Komunën e Preshevës.

Takimi për të diskutuar mundësinë e krijimit të qeverisjes së re lokale në Preshevë, mes bllokut të tri partive PDSH, PVD dhe LR, ka zgjatur vetëm një orë. Nuk ka informacione të konfirmuara rreth asaj se nëse janë përafruar qëndrimet e tri partive ose jo.

Derisa dy partitë me numrin më të madh të përfaqësuesve në Kuvendin e Preshevës, PDSH dhe PVD, nuk po mund të dakordohen për pozitën e kryetarit të Preshevës, Lëvizja për Reforma ka ndryshuar kërkesat për bashkëqeverisje.

Pas takimit paraprak mes PDSH-së dhe PVD-së të mbajtur më 28 prill, PreshevaPRESS ka raportuar se Lëvizja për Reforma ka kërkuar të udhëheqë me 30% të pozitave udhëheqëse e siç janë: zavendëskryetarin e Preshevës, udhëheqja me tri drejtorate në kuadër të administratës komunale, dhe udhëheqja e dy institicioneve publike ku themelues është Komuna e Preshevës, duke mos përcaktuar numrin e anëtarëve të Këshillit Komunal pasi që nuk është e qartë numri i përgjithshëm i anëtarëve të këtij organi ekzekutiv me ndryshimet e fundit në Statutin e Komunës sē Preshevës nga ana e qeverisjes së kaluar të udhëhequr nga APN.

PreshevaPRESS merr vesh se Lëvizja për Reforma në këtë takim është tërhequr nga kërkesa e zavendëskryetarit të Preshevës, dhe ka zavendësuar atë me Kryetarin e Kuvendit të Preshevës, Kryeshefin e administratës komunale dhe Sekretarirn e Kuvendit komunal derisa kërkesat për drejtoratet e administratës komunale dhe institucinet publike ku themelues është Komuna mbeten të njëjta.

Një gjë të tillë nuk e kanë konfirmuar anëtarët e Kryesisë së LR-së të cilët i ka kontaktuar PreshevaPRESS, duke thënë se përfaqësuesit e LR-së në bisedimet për krijimin e koalicionit të ri qeverisës kanë legjitimitetin e plotë të negociojnë, dhe se organet paritake nuk kanë pasur ndonjë takim ditën e sotme në lidhje me bisedimet.

PreshevaPRESS gjithashtu mëson se nuk është caktuar ndonjë kohë për takimin e rradhës, derisa ajo varet nga vendimet e kryesive të dy partive që synojnë pozitën e të parit të Komunës, mbledhje që do të mbahen ditëve në vijim.