Të fundit

Rexhepi për protestën e shqiptarëve që do mbahet në Preshevë: Le të na arrestojnë, jemi të vendosur

Enkel Rexhepi, nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, ka dhënë detaje për protestën e rradhës së shiptarëvë të Luginës së Preshevës, e cila është paralajmëruar të mbahet me 23 shtator.

Rexhepi, ka treguar se arsyeja kryesore e protestës është kërkimi i të drejtave elementare të cilat po vazhdojnë të shkelen nga Serbia dhe që sipas tij nuk po mund t’i arrijnë në mënyrë institucionale.

Të drejtat e shqiptarëve çdo ditë po shkelen më shumë dhe ne nuk po mund t’i arrijmë në mënyrë institucionale të drejtat elementare sepse Serbia është ajo Serbi e kohës së Millosheviqit vetëm me metoda më moderne e cila edhe pse është nënshkruese e tri marrëveshjeve ajo nuk po i respekton dhe njëkohësisht nuk po i zbaton ato”, ka thënë Rexhepi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

“Ne jemi duke kërkuar të drejtat tona elementare , këta le të na arrestojnë, nuk është hera e parë që na arrestojnë apo na maltretojnë“, shtoi ai.

Tutje, Rexhepi, ka përsëritur kërkesat e tyre të cilat do ti kenë edhe në këtë protestë të rradhës.

“Protesta në thelb ka ndalimin e pasivizimit të adresave dhe rikthimin e të gjitha adresave, respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara, mosnjohja e diplomave të Republika e Kosovës që poi  detyron të rinjtë të migrojnë duke mos gjetur zgjidhje në Luginë të Preshevës, integrimi i shqiptarve nëpër institucione, demilitarizimi i Luginës dhe njëkohësisht amnestia e ish ushtarëvë të ushtrisë lirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, zgjidhja e përdorimit të simboleve dhe e fundit është përfshirja e Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë-Serbi”, ka theksuar ai.

Sa i përket përfshirjes së Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi, Rexhepi ka thënë se do të kërkojnë që patjetër të bëhet një gjë e tillë, sepse siç ka thënë ai ‘kur flitet për serbët në Kosovë pse mos të flitet për shqiptarët në Preshevë’.

“Ne mendojmë se pa përfshirjen e shqiptarve të Luginës në bisedime nuk mund të ketë stabilitet në Ballkan. Kjo është pika kryesore që ne më nuk do të rrimë duarkryq sepse duke i parë të drejtat e serbëve në Kosovë, ne jemi shumë të diskriminuar, ndërsa serbët në Kosovë janë të priviligjuar. Ne nuk duam as më pak as më shumë nga ajo që na takon pra duam të drejtat tona elementare që na takojnë. Dhe prandaj Lugina duhet të përfshihet patjetër në dialogun Kosovë-Serbi sepse kur flitet për serbët në Kosovë pse mos të flitet për shqiptarët në Preshevë”, ka shtuar Rexhepi.

Rexhepi, ka mohuar që kryeministri Kurti ose zëvendësministri Bislimi të iu kenë dhënë premtim për përfshirjen e kësaj pike në bisedime mirëpo ka thënë se ata të dy janë duke u munduar për këtë gjë.

“Si kryeministri Kurti dhe si zëvendësministri Bislimi e kanë ngritur çështjen e shqiptarëvë të Luginës si temë të bisedimeve, por ata nuk na kanë dhënë premtim por realisht janë duke u munduar dhe jemi duke ecur me hapa konkret”, është shprehur ai/teve1.info/