Rexhep Qosja i del në mbrojtje Edi Ramës, për Shengenin Ballkanik
A duhet të ketë një Shengen Ballkanik? Projekti i prezantuar nga kryeministri i vendit tonë, Edi Rama, që brenda vitit 2021 duhet të realizohet një Shengen Ballkanik, pasi në këtë mënyrë jo vetëm rikrijohet një Shengen në Europë, por edhe mundësohet lëvizja e lirë dhe integrimi i shpejt i qytetarëve, kësaj here është komentuar nga Rexhep Qosja.
“A e dini ju se çfarë është ai minishengen? Çfarë premton ai minishengen? Çfarë premton ai minishengen? Cilat janë premtimet e atij minishengeni edhe cilat janë të mirat, pengesat edhe të këqijat e atij. Nuk e di numri më i madh. Ta presim, le të shohim pak. Unë di një gjë. Me minishengen apo pa Minishengen këto vende të Ballkanit Perëndimor janë vetëm disa, ndërsa Ballkani është më i gjerë. Ekziston me shekuj. Ka qenë tërësi me shekuj e Europës. Ka qenë një kohë pjesë e Perandorisë Otomane. Tashmë është Ballkani prej të cilit u krijua Ballkani Perëndimor, që nuk ka ekzistuar me këtë termë dikur pjesë e Europës. Do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Minishengen apo pa Minishengen Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE-së. BE është një bashkim me shumë vlera, me shumë premtime. Një premtim madhështor për Europën e paqes, e bashkëpunimit edhe multikulturor, Evropën e popujve me identitete të ndryshme që janë në harmoni, një bashkim me premtim krejt planetin. Një premtim për paqe, bashkëpunim në krejt planetin”, tha Qosja.
Por ky Shengen Ballkanik a mund të realizohet pa prezencën e Kosovës? Qosja argumenton, se Rama kurrsesi nuk mund ta ndryshojë atë që ka thënë në Serbi për Pavarësinë e Kosovës.
“Edi Rama ka thënë në Beograd diçka që se ka thënë asnjë politikan shqiptar para tij. Diçka për Pavarësinë e Kosovës. Atë që ka thënë ai nuk e ndryshon kurrë, por e mbron”, thotë akademiku.
Qosja i bën apel kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti, që të kenë më shumë bashkëpunim mes tyre,për një Shqipëri edhe Kosovë të bashkuar
“Unë do të dëshiroja që politikanët e sotëm të Kosovës, që kanë sjellë ndryshime, Albin Kurti që fitoi me ndryshimet që ka në program edhe Edi Rama që ndryshon nga modelet e politikanëve, të kenë një bashkëpunim më të dëshmuar në paraqitjet, mendimet edhe bashkëpunimet e tyre. Ai bashkëpunim, marrëveshje dhe mirëkuptim i tyre do të jetë në të mirë të Shqipërisë edhe të Kosovës, në të mirën e të gjithë Shqiptarëve, në të mirën e Shqipërisë së përbërë prej Shqipërisë edhe Kosovës së bashkuar”, përfundon Qosja.
Rexhep Qosja ishte i pranishëm në Tiranë për të promovuar vëllimin e tetë të librin “Dëshmitar në kohë historike”.