BoksSporti

Reshat Mati flet para duelit të madh – ka këtë deklaratë për shqiptarët para se të ngjitet në ring

Reshat Mati dëshiron që ta shndërrojë Nju Jorkun në një fortesë – teksa bëhet gati që të ndeshet për herë të tretë si profesionist këtë të premte.

Në Hulu Theater, në Madison Square Garden në New York, boksieri 20-vjeçar do të ngjitet në ring për herë të tretë në karrierën e tij në boksin profesionist, kur për kundërshtar do të ketë boksierin 36-vjeçar nga Gana, Benjamin Borteye, transmeton Insporti

Ishte pikërisht Hulu Theater, vendi ku Mati ngriti në këmbë tifozët e tij me fitoren e dytë në karrierë, kur e mposhti portorikanin Juan Carlos Sepulveda pas katër rundeve.

Të dyja fitoret e deritanishme në karrierë, Mati i ka shënuar në muajin tetor të vitit të kaluar, pasi paraprakisht e kishte rrahur edhe meksikanin Adan Ahumada, në debutimin e tij në Çikago.

Ish-sensacioni i boksit amator, që njihet me nofkën “Ariu shqiptar”, tani pritet të ketë një vit të ngjeshur teksa fiton përvojë brenda dhe jashtë ringut, dhe përderisa shpreson se do të jetë pjesë e eventeve të boksit në gjithë Amerikën, Nju Jorku është vendi ku ai dëshiron që të boksojë rregullisht, para fanbazës së tij tashmë në rritje.


Mati, i njohur me nofkën “Ariu shqiptar”, me titujt e fituar në karrierën në boksin amator

“Të bëja debutimin në shtëpi ishte interesante – me të vërtetë doja që të ndërtoja diçka speciale në Nju Jork”, thotë Mati për ‘Match Room Boxing’, raporton Insporti

“Shita shumë bileta në Çikago dhe pastaj edhe më shumë në Nju Jork – të gjithë flamujt shqiptarë në turmë dukeshin mahnitshëm dhe mendoj se kam dhënë paraqitje të mirë për ta, dhe jam i emocionuar që do ta startoj vitin 2019 në të njëjtin vend të shkëlqyeshëm”, shton ai.

“Nuk po bëhem arrogant, por tashmë kam një fanbazë të mirë dhe shumë prej tyre vijnë në meçet e mija, dhe dua që ta rris këtë”, potencoi ai.

“Dua që njerëzit të shohin emrin tim në posterë dhe të thonë ‘Dua të shikoj Reshat Matin’ – ky është synimi im, të dhuroj shfaqje të mrekullueshme dhe të fitoj shumë tifozë. Por unë mund të luftoj po ashtu, nuk jam thjesht një shitës i biletave, kam synime në këtë sport dhe të arrij majën është njëra nga to”, shton boksieri 20-vjeçar shqiptar.


Mati është i vendosur të bëjë emër të madh në karrierën e tij në boks

“Mezi pres që ta bëj këtë. E di se kam ende shumë për të mësuar, por jam në vendin e duhur dhe kam ekip të mrekullueshëm prapa meje, kështu që e di se do të jem shumë aktiv dhe do të mësoj shpejt në ring dhe në palestër. Starti i karrierës time si profesionist ka qenë i mrekullueshëm. Është ëndërr e bërë realitet të qenit boksier profesionist, por etika e punës time nuk ka ndryshuar, gjithmonë jam stërvitur aq sa kam mundur dhe nuk do të lë asnjë gur pa lëvizur – kjo do të jetë gjithmonë mënyra se si do t’i qasem punës time”.

Meçi i tretë i Matit është pjesë e një mbrëmje të madhe boksi në Nju Jork, ku eventi kryesor do të jetë dueli mes Demetrius Andrade e rusit Artur Akavov, ku boksieri amerikan do të synojë të mbrojë titullin e botës në WBO, në peshat e mesme.

Kundërshtari i Matit do të jetë boksieri ganez, Benjamin Borteye, që ka 4 fitore, 3 humbje dhe 0 barazime, kurse ky meç do të zhvillohet në më së shumti 4 runde, siç kishte raportuar Insporti më herët.


Reshat Mati me flamurin shqiptar, të cilët dëshiron t’i shohë në numër sa më të madh në turmë

Ndryshe, 20-vjeçari shqiptar ka firmosur kontratë me promotorin e famshëm britanik Eddie Hearn, i cili është promotor edhe i superyllit të peshës së rëndë Anthony Joshua.

“Nuk po planifikoja të bëhesha profesionist, po shikoja në drejtim të Lojërave Olimpike të vitit 2020 dhe për të përfaqësuar ekipin e Shqipërisë, por pasi fitova ‘Natiola Golden Gloves’, Eddie Hearn mu afrua dhe për mua ishte një ëndërr, një mundësi që nuk mund ta lëshoja”, thotë Mati për marrëveshjen e tij me Hearn.

“Jam një djalosh nga Staten Island, që po e bën të veten. Kam boksuar për 16 vjet, dhe tani që jam shndërruar në profesionist, kam diçka tjetër për të dëshmuar. Kjo tregon se e gjitha puna e vështirë që e kam bërë po shpaguhet”.

Ndërkaq, Hearn e ka lavdëruar Matin duke thënë se e ka potencialin për t’u bërë yll i madh.

“Reshati është një luftëtar i lindur dhe ka potencialin të bëhet yll i madh”, tha Hearn.

“Ai i ka arritur të gjitha në botën e sporteve luftarake por shkëlqen në boks dhe me të vërtetë besoj se do të bëhet kampion. Ai ka kohën në anën e tij por do ta mbajmë të zënë në të gjithë Amerikën dhe botën”, tha Hearn për Matin.

“Ariu shqiptar”, së fundmi ka publikuar një video ku ka paralajmëruar se është gati për meçin e 18 janarit, dhe se e synon fitoren e 3-të në karrierë.