Lajme

RAMIZ KELMENDI I LDK-SË KËRKON HEQJEN E TAKSËS PËR PRODHIMET SERBE

Deputeti i LDK-së, njëherazi biznesmeni Ramiz Kelmendi ka kërkuar që taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës të hiqet ashtu siç ka kërkuar ShBA-ja, sepse siç ka thënë ai, rekomandimet e Shteteve të Bashkuara duhet që të gjitha institucionet ekzekutive në Kosovë t’i kuptojnë seriozisht.

Kelmendi, i cili është biznesmeni që përmes kompanisë së tij “Elkos” importon më së shumti pçrodhime serbe në Kosovë, ka thënë se taksa dëmton miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për të parë videon, klikoni këtuVIDEO

“Suspendoni taksën – dëgjoni mikun e madh SHBA-në”, ka thënë Kelmendi, përmes një shkrimi të publikuar sot në rrjetin social Facebook.

Kelmendi përkujton se ata politikanë që nuk i kanë dëgjuar rekomandimet e fuqive mike janë “shkrumbuar”. Prandaj, deputeti Kelmendi sugjeron që taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës do duhej që urgjentisht të suspendohej, që në sekondën e parë pas rekomandimit nga Shtetet e Bashkuara dhe, sipas tij, ti kërkohet falje ShBA-së për shkak të moskunsultimit paraprak me ta.

“Rekomandimet e SHBA-ve duhet që të gjitha institucionet ekzekutive në Kosovë ti kuptojnë seriozisht. Nuk duhet të harrojmë se edhe këto rekomandime kanë një kufi kohor të të zbatuarit. Këtu nuk po flitet fare e as që po bëhet fjalë opsioni që sygjerojnë disa krerë nga skena e brendshme me lloj lloj frazash, se taksa nuk e dëmton miqësinë me mikun e madh”, ka thënë Kelmendi.

Përveç vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe, në muajin nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Tregtisë kishte marrë vendim për heqjen nga tregu të të gjitha produkteve që i referoheshin Kosovës si: “Kosova dhe Metohija”.

E njëra prej kompanive që ishte dëshmuar se mbante produkte që mbanin mbishkrimin “Kosovë dhe Metohi”, është Elkos/ETC – e cila është në pronësi të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Mallrat të cilat mbanin mbishkrimin “Kosova dhe Metohija” ishte produkte të lavanderisë dhe kujdesit shtëpiak, të cilat vinin nga Serbia.

Elkos është kompani e autorizuar për distribuimin e produkteve të kompanisë gjermane “Henkel”, e cila kishte kontraktuar firmën serbe “Merix” për shpërndarjen e produkteve të saja në Republikën e Serbisë dhe në territorin e Republikës së Kosovës. Elkos, produktet e kompanisë Henkel, i importon nga firma serbe Merix dhe i distribuon në Kosovë.

Pikërisht në këto produkte të kujdesit shtëpiak dhe lavanderisë ishte shfaqur mbishkrimi “Kosova dhe Metohija”.

Mirëpo, për të shmangur këtë skandal, kompania Elkos kishte mbuluar mbishkrimin “Kosovë dhe Metohi” përmes letrave që u ka vendosur mbi mbishkrimin origjinal.