Lajme

Presidenti Thaçi: Me marrëveshjen finale, Lugina e Preshevës dhe veriu në kufijtë e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të hënën në një konferencë për medie se synim i Kosovës është që të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të ishte ligjërisht e obligueshme në rrafshin ndërkombëtar.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë do t’i siguronte Kosovës ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe do t’i hapte perspektivën në integrimet euro-atlantike.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për vështirësitë që janë në procesin e arritjes së marrëveshjes me Serbinë, por, siç u shpreh, beson në fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.

“Mbetet që në javët dhe muajt e ardhshëm të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese në rrafshin ndërkombëtar, që garanton pranimin e Kosovës në OKB, njohje nga Serbia dhe me këtë nënkuptohet edhe njohja globale për shtetin e Kosovës, që do të thotë konsolidim i plotë i shtetit tonë”, ka thënë Thaçi, raporton “Rel”.

“Kjo nënkupton po ashtu që nuk do të ketë kurrë më luftë në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe do të ketë kufij sipas standardeve evropiane”, ka thënë ai.

Thaçi ka rideklaruar se në kuadër të marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë, edhe komunat në Luginën e Preshevës (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc) do të bëhen pjesë e Kosovës.

“Edhe Gazivoda (Ujmani), edhe veriu i Mitrovicës dhe Trepça do të jenë pjesë të Republikës së Kosovës dhe përfundimisht duhet të ndalen dhe dua t’i hedh poshtë të gjitha thashethemet”, ka thënë Thaçi.