Sporti

Ramadani, një kampion me babanë trajner autodidakt

Muhamet Ramadani ka dëshirë të thotë se ka shkruar histori për vete, atletikën dhe sportin e Kosovës.

Dhe, kjo është e vërtetë. Ai fitoi medaljen e artë në hedhje të gjyles në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj “Baku 2019”.

Hedhja e tij ishte më e mira e vitit për Evropë, 19.75 metra në grupmoshën e 18-vjeçarëve. Garuesi në vend të dytë hodhi gjylen gati një metër më pak, shkruan sot Koha Ditore.

Ramadanit i ka mbetur merak që nuk e kapi 20-metërshin, të cilin thotë se në stërvitje e bën gati çdo herë.

Por edhe me këtë gjuajtje ai doli kampion. Për Kosovën ishte medalja e vetme në “Baku 2019” dhe e para në tri festivale që ka marrë pjesë.

“Po ndihem jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar me këtë sukses, i cili mund të them se është më i madhi në karrierën time deri më tash për shkak se në atletikë ende nuk ka pasur asnjë garues me medalje në një ngjarje të tilla. Gjithashtu, e kam shkruar historinë për sportin e Kosovës në përgjithësi, duke u bërë sportisti i parë që ka siguruar medalje nga një Festival Olimpik. Ky është një sukses i madh si për mua ashtu edhe për atletikën dhe sportin kosovar në përgjithësi”, ka thënë Ramadani të dielën.