Shqipëri

Rama: Shqipëria nuk do qëndrojë duke qarë në derën e BE

“Ne nuk mund të qëndrojmë para portës së Europës dhe të qajmë”. Me këto fjalë kryeministri Edi Rama ka komentuar në një intervistë për agjencinë franceze te lajmeve procesin e afrimit me unionin. Rama tha se Shqipëria është e vendosur të ecë përpara me reformat dhe se nuk pret shumë nga bisedimet brenda unionit për çështjen e zgjerimit.

“Ne duhet të bëjmë ato gjëra që duhet të bëjmë, cilado qofshin vendimet europiane. Kjo është e vetmja rrugë e arsyeshme, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të këtij vendi. Procesi i zgjerimit, si reformë mbi funksionimin e vetë bllokut, përmban tema që nuk kanë lidhje fare me Tiranën. Është e rëndësishme që Europa të ndryshojë. Është e qartë që në këto çaste ajo po vuan, nuk po funksionon ashtu siç duhet. Nuk duhet të vazhdojmë të jetojmë më në këtë psikozë të pritjes së gjërave, mbi të cilat vendi nuk ka mundësi kontrolli”.

Duke u ndalur te Reforma në Drejtësi dhe Vetingu, Rama thotë se po bëhet gjithçka edhe në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

“Shqipëria ka bërë më shumë se të gjitha vendet e tjera për hapjen e negociatave, por ajo do të vazhdojë të bëjë detyrat e saj të shtëpisë, sepse ne nuk i bëjmë për ata, por për veten tonë”.

Rama ndalet edhe te Konferenca e Donatorëve e 17 Shkurtit në Bruksel për rindërtimin. Ai thotë se dëmi arrin në 1 miliard euro dhe se është e pamundur që vetëm kjo konferencë të mbulojë të gjitha dëmet./ opinion.al/ ministrialajmeve.com