Shqipëri

Rama: Minishengeni nënkupton heqjen e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë, s’flas për Albin Kurtin para 26 prillit

Kryeministri shqiptar, Edi Rama foli për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë në “Ilva Now”, ku përmendi minishengenin ballkanik si një mundësi për të hequr kufinjtë midis dy shteteve Shqipëri –Kosovë. Ai tha për shengenin rajonal se si ide ka qenë e Fatos Nanos.

“Shengenin e parë rajonal e ka artikuluar Fatos Nano në një kohë që dukej çmenduri. Unë e kam rifutur sepse u krijuan kushtet. Shengeni rajonal nënkupton heqje kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës, por sa ta marrin vesh ata të Kosovës do të kenë kaluar vite dhe do të ketë humbur kohë Kosova”, tha Rama, ndërsa shtoi se ndër liderët e shteteve pjesëtarë ka qenë pikërisht ai që e ka shtyrë si ide minishengenin.

“Minishengeni është ide që e kam shtyrë unë i pari dhe kam dëshmitarë për këtë. Që kur jemi mbledhur në Berlin herën e parë”, tha Edi Rama.

Rama tha për dialogun në Kosovë se duhet të përbëjë prioritet, në mënyrë që Kosova të ngrihet në nivel në aspektin ekonomik dhe social.

“Duhet të shohim si do të shkojë procesi në Kosovë, për mua e ardhmja e Kosovës pa vendosmërinë për të mbaruar dialogun është e mjegullt jo në sensin e pavarësisë por në sensin e kapaciteteve që mund të vihen në dispozicion për ta ngritur Kosovën në nivel tjetër në aspektin ekonomik dhe social”, tha Rama.

I pyetur nga gazetarja Ilva Tare në lidhje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, Rama nuk pranoi të prononcohet përpara datës 26 prill, që shënon edhe ditën pas zgjedhjeve në vendin tonë.

“Unë e nuk komentoj Albin Kurtin. Më fute Albin Kurtin në bisedë, nuk kam asnjë koment në lidhje me Albin Kurtin deri me 26 prill. Pastaj mund të flas”, u shpreh Rama.