Shqipëri

Rama: Aeroport në Vlorë, Kukës e Sarandë brenda mandatit të tretë

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se deri në fund të mandatit të tij të tretë (të cilin e përmendi disa herë) në Shqipëri do të kenë përfunduar edhe tre aeroporte të tjerë.

Nga Asambleja e Partisë Socialiste, ku në fakt nuk nguroi të sulmonte përfaqësuesit e opozitës, Edi Rama tha se javën e ardhshme do të rikthehet puna për aeroportin e Vlorës, ndërsa përmendi ndërtimin e një aeroporti edhe në Sarandë.

“Më thoshin që i Kukësit është fantazi. O do ti marr 120 demokratë që më shajnë dhe do t’i sjell nga Londra të votojnë PD, o s’ka. Do ti sjell në aeroport do ti them: Shko voto PD.

Aeroporti i vlorës u pengua nga Covid.  Javën e ardhshme do hapet procesi aty ku u la. Nuk po jap data, se ne i japim sipas nesh dhe punës sonë, por na dalin pastaj vlonjatët dhe thonë: Do ndërtohet aeroporti në Burrel. Vitin që vjen ndërtohet aeroporti i Vlorës dhe më pas do të nisë procedura për Sarandën. Do e mbyllim mandatin e tretë me 3 aeroporte të tjera.  

Portin e Vlorës do e kthejmë në port turistik, në pranverë hapet kantieri, ndërsa portin e ri të mallrave do e ndërtojmë te Triporti. Porti i Durrësit do ikë që aty, do ndërtohet port turistik. Do ndërtojmë portin e ri të mallrave në Porto Romano. Do fillojë shpejt. Do të kemi portin e ri turistik në Sarandë, me qeverinë e Kosovës do të diskutojmë për portin e Shëngjinit”, tha Rama./Opinion.al