Lajme

Rakiq thotë se nuk do të lejohet bashkimi i Mitrovicës

Kryetari i Listës Serbe dhe kryetari në dorëheqje i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq ka thënë sot se serbët nuk do të lejojë bashkimin e Mitrovicës veriore dhe jugore.

Siç raporton agjencia serbe “Beta”, Rakiq ka thënë se bashkimi i Mitrovicës, për të cilin ka folur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, “është një mbulesë për spastrimin etnik të serbëve nga qyteti i vetëm, në të cilin ata mbijetuan spastrimin etnik të vitit 1999″.

“Sulmi i fundit i Hashim Thaçit në paqen e Kosovës është motivuar në paralajmërimin e aneksimit të Mitrovicës së Veriut, sepse kjo është ajo që është në mendjen e tij, kur flet për një lloj të bashkimit. Më shumë se 1,000 sulme që kanë kryer disa miq të Thaçit kundër serbëve në urën kryesore nga viti 1999 e deri më sot, kanë pasur për qëllim që të mos ketë serbë në veri, sikurse nuk ka në pjesën jugore të Mitrovicës”, ka thënë Rakiq, në një deklaratë me shkrim të cilën e ka shpërndarë Lista Serbe, përcjell Telegrafi.

Ai ka shtuar se “serbët gjithmonë janë të përcaktuar për paqe dhe bashkëjetesë me të gjithë, gjë që e kanë dëshmuar me ruajtjen e karakterit multietnik të qytetit tonë, ku përveç serbëve jetojnë dhe boshnjakët, shqiptarët, romët, goranët, turqit, egjiptianët dhe shumë të tjerë”.

“Paqja nuk ka alternativë, por nuk ka alternativë as e drejta për jetë dhe liri, dhe ne do të dimë ta ruajmë me ndihmën e shtetit të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq”, tha kryetari i Listës Serbe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin, me ç’rast ka vlerësuar se bashkimi i qytetit të Mitrovicës është proces i pandalshëm.

Ai ka thënë se tani e kanë radhën të veprojnë Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca.