Lajme

Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, policia bllokon rrugën “Dëshmorët e Kombit”

Të shtëna armësh janë dëgjuar mbrëmjen e së hënës në kryeqytet, përkatësisht afër katedrales “Nënë Tereza”. Me ç’rast rruga “Dëshmorët e Kombit” është ndaluar për qarkullim nga Policia.

Se kishte të shtëna armësh e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Siç ka bërë të ditur ai, nuk raportohet për të lënduar. Ndërkaq rastin e ka raportuar një person i cili ka deklaruar se dy të dyshuar kanë shtënë në drejtim të tij, derisa ishin duke lëvizur me një skuter.

“Me 24.08.2020 rreth orës 21:20 Policia ka pranuar një informatë se në Prishtinë në rrugën “Dëshmoret e Kombit” ka të shtëna me armë. Njësitë relevante të stacionit policor “Jugu” iu janë përgjigjur menjeher informatës dhe kanë dalur në vendin e ngjarjes. Njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë hasur në personin mashkull, i cili ka deklaruar se deri sa ishte duke dalur nga nje market, dy persona të panjohur të cilët kishin qenë në një skuter, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Sipas tij ai ka dëgjuar rreth 5 të shtëna, por nuk është qëlluar. Nuk raportohet per viktima tjera deri ne kete moment. Policia janë ende në vendin e ngjarjes duke ndermarr veprime operacionale dhe hetimore per te sqaruar rrethanat e ketij rasti”, ka konfirmuar Hoxha.