Të fundit

Ragmi Mustafa nga vizita në SHBA: Lugina të përfshihet në agjendën politike amerikane

Dallas, SHBA – 23 tetor 2025
Zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës dhe kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi fillimin e ditës së parë të lobimit të delegacionit nga Lugina e Preshevës për çështjen e rënduar të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Delegacioni e nisi agjendën e tij në Dallas, ndërsa vizita do të vazhdojë në New York, ku përfaqësuesit e Luginës do të takohen me kongresistë dhe senatorë amerikanë.

“Sot fillon dita e parë e lobimit të delegacionit të Luginës së Preshevës për çështjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Para kongresistëve dhe senatorëve amerikanë do të paraqesim me fakte bindëse shkeljet flagrante që po ndodhin ndaj shqiptarëve në këto tri komuna nga shteti i Serbisë,” deklaroi ai.

Ai shtoi se Lugina e Preshevës duhet të përfshihet si prioritet në agjendën e SHBA-ve, ashtu si në të gjitha rastet ku Shtetet e Bashkuara angazhohen për zgjidhjen e krizave në botë.

“Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti i bekoftë shqiptarët,” përfundoi zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe kryetar i PDSH-së.