Bota

Qytetari turk i prekur nga COVID -19 në Suedi mbërrin në Turqi

Qytetari turk, 47-vjeçari Emrullah Gülüşken i cili nuk u trajtua në Suedi pavarësisht se rezultoi pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19) mbërriti bashkë me familjen e tij në Turqi me një avion që u dërgua me udhëzim të ministrit turk të Shëndetësisë, Fahrettin Koca, transmeton Anadolu Agency (AA).

Avioni ambulancë që transportoi Emrullah Gülüşken dhe fëmijët e tij, zbriti në aeroportin Esenboğa të Ankarasë në orën 13:30 sipas kohës lokale. Pas uljes së avionit, punonjësit e shëndetësisë me veshje mbrojtëse, me një ambulancë që ishte në pritje në aeroport transportuan Emrullah Gülüşken dhe fëmijët e tij në spitalin e qytetit të Ankarasë.

Thirrjet e vajzave të tij bënë jehonë në rrjetin social

Samira dhe Leyla Gülüşken, vajzat e 47-vjeçarit Emrullah Gülüşken që banon në qytetin Malmö të Suedisë bënë thirrje për ndihmë nëpërmjet rrjetit social për babain e tyre. Pavarësisht se babai i tyre kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 ai nuk u trajtua dhe u dërgua në shtëpi. Pas këtyre thirrjeve ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca kaloi në veprim duke dhënë udhëzim për dërgimin e avionit ambulancë me qëllim evakuimin e shtetasit turk nga Suedia në Turqi.