Lajme

Qytetarët e Kosovës nuk e duan ndryshimin e kufijve

Qytetarët e Kosovës janë në favor të përmbylljes së dialogut me Serbinë, por jo me çmimin e ndryshimit të kufijve të vendit. Kështu konkludon një hulumtim i opinionit, i kryer nga Instituti Kombëtar Demokratik (National Democratic Institute – NDI) në fund të muajit mars të këtij viti.

Sipas rezultateve të hulumtimit të NDI-së amerikane, për shumicën e të anketuarve ruajtja e integritetit territorial të Kosovës është çështja prioritare në dialogun e Brukselit, shkruan sot “Koha Ditore”. Kështu, nga përgjigjet e ofruara, 46 për qind e të anketuarve kanë thënë se integriteti territorial i Kosovës nuk duhet të sakrifikohet për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

Një numër edhe më i madh (71.6 %) është shprehur në favor të ruajtjes së territorit të Kosovës, edhe nëse kjo do të thotë një proces më të zgjatur të integrimit të vendit në BE. Ndërsa, vetëm 20.6 për qind e të anketuarve janë pajtuar se duhet shqyrtuar mundësinë e heqjes dorë nga një pjesë e territorit nëse kjo nënkupton njohje nga Serbia dhe anëtarësim në OKB. 49.6 për qind e të anketuarve kanë thënë se shkëmbimi i territoreve do të shkaktonte largimin e minoriteteve dhe do të dëmtonte karakterin multietnik të Kosovës.