Opinione

Qorrolli: BE-ja s’po na afron shkaku i belaxhinjve që na udhëheqin

“Belaxhinjtë që po na udhëheqin” janë arsyeja se përse Bashkimi Evropian nuk është duke e afruar Kosovën afër vetes, vlerëson analisti politik, Vigan Qorrolli, i cili shton se tranzicioni i Kosovës dhe Shqipërisë nuk “përfundon kurrë”, shkaku i tyre.

“Duke mos pasur ide për zhvillimin e shtetit dhe përparimin e shoqërisë, të vetmen levë që e përdorin më së miri është dhuna verbale dhe konfliktualiteti politik. Prandaj tranzicioni i dy shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, me këtë kastë të belaxhinjve politik nuk përfundon kurrë. Arsyeja se pse Bashkimi Evropian nuk na afron afër vetes: për shkak të belaxhinjve që na udhëheqin”, shkruhet në një status të tijin në Facebook.

“Ajo është një traumë e mosnjohjes në radhë të parë të parimeve bazë të demokracisë, dhe së dyti — e moskuptimit të thellë të politikës perëndimore”, shkruan ai në vazhdim.

Për politikanët e vendit thotë se nuk janë “as të djathtë, as të majtë”.

Për më tepër, “nuk janë as patriotë”, shkruan ai, por “rastësor dhe sipërfaqësorë”.

“Sepse mbi të gjitha janë politikanë që mbijetojnë nga konflikti dhe jo nga paqja apo njohuria politike. Edhe prej konfliktit përfitojnë, siç kanë përfituar deri më tash nga çdo situatë jonormale. Situata më jonormale në një shoqëri është mungesa e sundimit të ligjit dhe si pasojë e saj, kapja e shtetit”, vlerëson Qorrolli.