Qeverisë i kërkohet ta ndihmojë Gjilanin pas aksidentit me fatalitet
Pas tragjedisë së rëndë që ndodhi sot në Gjilan, ku si pasojë e një aksidenti vdiq një person dhe mbetën të lënduar 16 tjerë, gjatë seancës së Kuvendit, deputetët i kanë kërkuar Qeverisë që t’i dalë në ndihmë kësaj komune.
Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se pas ngjarjes tragjike në Gjilan, Qeveria t’i dalë në ndihmë kësaj komune.
“Nuk e di nëse komuna e Gjilanit ka kapacitete me menaxhu këtë emergjencë tash për tash. E ftoj kryeministrin me dikasterin e shëndetësisë që t’i dalë në ndihmë sa më shpejtë komunës së Gjilanit, në mënyrë që të tejkalohet ky rast, kjo emergjencë dhe po ashtu i kërkojmë që të jemi pranë familjarëve dhe të gjithë atyre që kanë humbur në këtë tragjedi dhe do t’i dalim në mbështetje me sa mundësi që kemi“, ka thënë ai, raporton kp.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se po përcjellin nga afër këtë gjendje.
“Jam dëgjuar më herët me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, mekanizmat lokal janë veprues, kemi biseduar me gjithë nivelin nacional, përfshirë inteligjencën, sigurinë, emergjencat po edhe njësitë shëndetësore. Situata është në kontroll, në menaxhim, do të vazhdojmë t’iu qëndrojmë afër dhe të përcjellim nga afër këtë gjendje”, ka thënë ai.