Lajme

Qeveria ndan 220 milionë euro ndihmë gastronomëve të Kosovës

Është bërë e ditur se Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve dhe të Rrjetit të Shitësve me Pakicë, ku u ka premtuar se ndihma ndaj tyre, në vetëm tremujorin e parë të vitit të ardhshëm do të jetë prej 200-220 milionë eurosh.

Po ashtu, Hoti thotë se gastronomëve do t’u zbritet TVSH-ja nga 18% në 8 % për këtë vit.

“Sot takova përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve dhe të Rrjetit të Shitësve me Pakicë, të cilët i sigurova për përkushtimin e Qeverisë në vazhdimin e mbështetjes dhe thellimin e bashkëpunimit përballë situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe të bizneseve”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

“Po ashtu, i njoftova se pakoja e re mbështetëse do të jetë në vlerë prej 200-220 milionë euro, për tre mujorin e parë të vitit 2021, ku midis tjerash përfshihet edhe zbritja e TVSH-së nga 18% në 8 % për këtë vit, masa këto të parapara me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, njoftoi tutje ai.