Lajme

Qeveria e Kosovës nuk e miraton nismën ligjore për luftimin e pandemisë

Qeveria e Kosovës nuk e ka miratuar nismën ligjore të Kuvendit të Kosovës për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj tha se qeveria vlerëson se çështjet të cilat synon t’i adresojë kjo nismë legjislative do të përfshihen në kuadër të një projektligji për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë së COVID-19, i cili shumë shpejtë do të finalizohet nga Ministria e Financave dhe pas miratimit në qeveri, do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim.

Nisma që Kosova të ketë një ligj për luftimin e pandemisë ka qenë e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ky projektligj për pandeminë është i bazuar në nenin 65, pika 1, të Kushtetutës së Kosovës, që ua lejon deputetëve inicimin e nismave legjislative.

Sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, Qeveria e Kosovës kishte afat që deri në fund të kësaj jave, të japë opinionin për nismën e Osmanit.

Më 7 korrik, Artan Murati, këshilltar ligjor i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i tha Radios Evropa e Lirë se në situatën në të cilën po kalon Kosova me rritjen e numrit të vdekjeve dhe infektimeve nga koronavirusi, Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, është më se i domosdoshëm.

Më 8 korrik, në Kosovë janë shënuar edhe katër viktima nga koronavirusi i ri.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të mërkurën se numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 86. Një ditë më herët ky numër ka qenë 82.

Sipas njoftimit, nga 413 testime të kryera, janë regjistruar edhe 214 raste me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 4.100.